Aktualitet

Mjeku onkolog Edmond Gashi sërish në telashe/Theu arrestin e shtëpisë duke shkuar në lokal!

Mjeku onkolog Edmond Gashi u procedua penalisht në gjendje të lirë nga agjentët e Komisariatit nr. 6 në Tiranë pasi theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar me vendim të Gjykatës së Tiranës për “Shpërdorim detyre” pas skandalit me pacientët me kancer të Spitalit Onkologjik, që dërgoheshin në klinikën e tij private.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr.6 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin E. G., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, dhe për shtetasin E.S., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Shtetasi E.G. ka thyer shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës, ndërsa shtetasi E.S. ka fshehur DVR-në me pamjet filmike nga lokali ku ka qëndruar shtetasi E.G.

Policia e Tiranës mori informacion në rrugë operative se mjeku Gashi e kishte thyer masën “Arrest në shtëpi” duke frekuentuar ambientet e një lokali në fshatin Kus, pjesë e Njësisë Administrative të Kasharit. Po ashtu, mësohet se ditën që Gashi kishte masën e sigurisë, në drejtim të policisë, nga Gjykata e Tiranës nuk pati asnjë shkresë për shoqërimin e tij nga banesa për në sallën e gjyqit.

Me mbarimin e seancës, duke përfituar nga hapja e derës nga një punonjëse, derë që përdoret nga gjyqtarë e prokurorë për të dalë nga gjykata, u pa duke vrapuar, i pashoqëruar.

Skandali në spitalin e Onkologjikut në QSUT u zbulua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari. Gjykata rikonfirmoi masat ndaj 7 të akuzuarve në dosjen Onkologjiku, me dyshimin se nuk i shërbenin në shtet pacientëve, për t’i operuar në klinikën private të mjekut Edmond Gashi. Po ashtu, u zbuluan të tjera abuzime me ilaçet.