Aktualitet Rajoni

Dhuna brutale ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, flet Shefi i Urgjencës: Kritike 72 orët në vijim, kemi vendosur që…

Mjeku Gjovalin Bushi ka folur mbi gjendjen aktuale të avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua nga katër persona.

Mjeku tha se gjendja e tij shëndetësore vijon të jetë e rënduar por stabël, dhe se 72 orët në vijim janë shumë të rëndësishme.

“Avokati u shfaq me një traumë koke. Në momentet e para ishte koshient, me kalimin e kohës çdo gjë filloi të rëndohej. Ishte shumë i axhituar dhe më pas filloi të humbiste dhe koshiencën. Në këto kushte vendosëm që pacienti të intubohej.

Nga momenti i djeshëm deri sot gjendja pothuajse është stabël, megjithëse vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Është bërë një ndërhyrje nga neurokirurgët, dhe sot është evidentuar një rënie e edemës, dhe në këto kushte nuk ka nevojë për ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Nga parametrat është normale, por pritet si do reagojë në orët më vonë. Presim 72 orë. Urojmë që gjendja të jetë stabël që të fillojmë ta zgjojmë. Ka pasur dhe një shtypje të pjesës së përparme të trurit dhe pacienti ishte shumë i axhituar, u shtua ënjta e trurit dhe nisi të binte koshienca dhe në këto kushte u detyruam ta intubonim”, u shpreh ai.

Dje në zonën e ish-Bllokut, Mëngjesi u dhunua nga Dorian Alia, Elton Kasaj e Drivaldo Aliaj. Shtetasi Romario Tabaku siguroi largimin e tyre nga vendngjarja. Po dje u vetëdorëzua njëri prej dhunuesve, Dorian Alia, ndërsa u ndalua personi i dyshuar si porositës i dhunës ndaj avokatit. Shtetasi Dritan Nano mohoi çdo përfshirje. Ai është mes trashëgimtarëve të një familjeje të përfaqësuar nga Sokol Mëngjesi e që fitoi një gjyq pronësie. Por, refuzonte ta paguante duke mos iu përmbajtur detyrimit ligjor sipas kontratës.

I vetëdorëzuari Dorian Alia tha se aktin e kreu “për miqësi” pasi ia kërkoi Dritan Nano dhe u shpreh se nuk e dinte peshën e avokatit Mëngjesi. Po ashtu, theksoi se bashkë me autorët e tjerë që janë në kërkim donin t’i bënin presion të hiqte dorë nga gjyqi që kishte hapur pasi kërkonte shlyerjen e detyrimeve nga pala që përfaqësoi.