Health & Beauty Live From Tirana

Mjekja endokrinologe Sara Zavalani: “Covid ka shtuar problemet me tiroidet!”

E ftuar në “Live from Tirana” ishte mjekja endokrinologe Sara Zavalani për të folur rreth problemeve hormonale të meshkujve dhe femrave, si dhe shenjat e para që na tregojnë se duhet t’i drejtohemi një mjeku.

Cilat janë shenjat e para që duhet të kemi parasysh?

Kur flasim për çrregullime hormonale, duhet të kuptojmë se gjendrat e tiroides dhe hipofizës janë shkaktarët e parë. Për femrat, zakonisht shenjat e para jepen nga aknet, cikli menstrual dhe daljet e tepërta të qimeve, sidomos aty ku nuk duhet. Ndërsa për meshkujt, të cilët janë më të rrallë, shenja të para janë rënia e flokëve, problemet e fertilitetit ose djersitja e madhe. Sa më herët të kapen, aq më mirë. Analizat e TSH janë të parat që bëhen dhe mund të tregojnë nëse ka probleme dhe nëse duhet të hyjmë më thellë në trajtim.

Nëse nuk i kapim shenjat e para, si e kuptojmë se është bërë problem?

Gjendja fillon të intensifikohet te pacientët dhe është më e dukshme. Rënia ose shtimi i shpejtë i peshës është një nga shenjat më të dukshme. Disa të tjera janë luhatjet e mëdha të tensionit, djersitja më e shpeshtë dhe e tepërt, semundje si Hashimoto dhe takikardia. Mosha gjithashtu luan një rol, për shembull, diabeti është më i shpeshtë në moshat e mëdha. 

A janë agravuar këto probleme nga Covidi?

Është nxitur sistemi autoimun në trup dhe ka çuar që vetë trupi të sulmojë tiroidet sepse i konsideron si organ të huaj, gjë që i bën ato të prodhojnë më shumë seç duhet. Ka një rritje të madhe të pacientëve që paraqiten me mungesë tiroidesh. Covid ka nxitur gjithçka.

Cilat janë disa nga shenjat e para të Hashimotos?

Ato kronike dhe autoimune. Mbyllen portat që nxjerrin tiroidet në gjak dhe gjithashtu bllokohet prodhimi i jodit, i cili është i domosdoshëm për funksionimin e tiroides. Shenja të tjera që vijnë bashkë ose pas përkeqësimit të gjendjes janë përgjumësia, pagjumësia, kapsllëku, fryrje në këmbë, fryrje e syve, luhatje emocionale dhe ankth ose nervozizëm.