Bruce Lee mund të ketë vdekur për shkak se pinte ujë më shumë seç duhet. Ky është përfundimi në të cilin kanë dalë doktorët rreth 50 vite pas vdekjes së legjendës së arteve marciale. Lee ndërroi jetë në verën e vitit 1973, në moshën 32-vjeçare, në Hong-Kong. Autopsia tregoi se ylli i Hollivudit vdiq si pasojë e ënjtjes së trurit, që kishte ardhur për shkak të qetësuesve që merrte.
Vdekja e tij e parakohshme bëri që të dilnin edhe zëra se ishte vrarë nga mafia kineze, se ishte helmuar nga një e dashur xheloze apo edhe se ishte viktimë e një mallkimi. Një tjetër teori ka qenë edhe vdekja nga vapa. Por, një grup ekspertësh nxjerrin një tjetër përfundim, Bruce Lee ka vdekur nga hiponatremia.
“Ne mendojmë se pamundësia e veshkave për të nxjerrë ujin e tepërt ka vrarë Bruce Lee”, lexohet në Clinical Kidney Journal. Studimi thekson se eksperti i arteve marciale ishte shumë i rrezikuar nga hiponatremia, pasi pinte shumë lëngje gjatë ditës, përdorte kanabis dhe merrte ilaçe që dëmtojnë veshkën.
Gruaja e tij Linda ka zbuluar më parë se Bruce Lee kishte një dietë shumë të pasur me lëng karrote dhe molle, gjatë muajve të fundit të jetës së tij. Bruce Lee ndërroi jetë vetëm pak javë para se të shfaqej për herë të parë filmi “Enter the Dragon”, i pari film i madh Kung Fu-je i prodhuar në Perëndim. Rikujtojmë, se disa letra të pazbuluara më parë tregojnë se legjenda e arteve marciale, Bruce Lee, ka qenë përdorues sekret droge.
Mendohet se ylli i “The Enter The Dragon” ka shkruar mbi 40 letra tek një koleg i tij për përdorimin e drograve para se të ndahej nga jeta në vitin 1973. Përdorimi i marijuanës nga ana e Lee, është dokumentar më së miri së fundmi falë biografisë së Matthew Polly për legjendën e arteve marciale. Thuhet se Bruce Lee ka tymosur dhe ngrënë hashash, sepse sipas tij i ngrinte nivelin e vetëdijes. Por sipas letrave të zbuluara së fundmi ai mund të ketë qenë i varuar edhe ndaj drograve më të forta.