Aktualitet Politikë

Mitsotaqis mbledhje me eurodeputetët fitues, Fredi Beleri del live nga burgu i Fierit!

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka takuar në zyrën e tij eurodeputetët që do përfaqësojnë Demokracinë e Re në Parlamentin Europian.

Pesë prej tyre ishin të pranishëm , ndërsa dy të tjerë midis tyre edhe Fredi Beleri kanë marrë pjesë me telekonferencë.

Kreu i qeverisë greke ka anuluar një udhëtim në Jordani dhe ka organizuar shumë takime me bashkëpunëtorët e tij për të përcaktuar shkaqet e humbjes së 1 milion votuesve të djathtë në zgjedhjet e së dielës për PE.

Madje flitet se në orët e ardhshme deri ditën e premte ai mund të kryejë një reformatim të madh të qeverisë .

Gjithashtu thuhet se në analizat për dobësimin e Demokracisë së Re brenda 10 muajve ka luajtur rol mospjesmarrja në votime e një pjese të madhe të votuesve të qëndrës të cilët janë zhgënjyer nga politikat qeverisëse të konservatorëve muajt e fundit.

Fredi Beleri, i dënuar nga GJKKO për blerje votash në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, është zgjedhur nga grekët si anëtar i Parlamentit Europian. Beleri u rendit i katërti mes të votuarve si kandidat në zgjedhjet helene dhe bëhet një prej 21 eurodeputetëve grekë në PE dhe një prej 7 të zgjedhurve nga sigla e Demokracia e Re të Mitsotakis.

Vetë Beleri e ka konsideruar një triumf të demokracisë, ndërsa në Himarë ka nisur festa mes mbështetësve të tij.