Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis deklaroi se Athina nuk do të tolerojë “lapsuse” të tjera të drejtuesve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, në raport me detyrimet që kanë për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Reagimi pason ceremoninë e inaugurimit të presidentes së re, Gordana Silanovska-Davkova, e cila dje u betua si presidente e “Republikës së Maqedonisë”.
Mitsotakis tha se “Greqia refuzon manipulime si ato me të cilat Silanovska hapi mandatin e saj” dhe i bëri thirrje që t’i respektojë detyrimet ligjore e t’u përmbahet atyre që dalin nga roli i saj si presidente.
Ne deklarojmë se kategorikisht nuk do të pranojmë “lapsuse” të ngjashme. Dhe përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i Shkupit drejt Europës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve, nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues të shtetit fqinj. Sigurisht, edhe nga shmangia e sfidave.
Në vitin 2018, Shkupi dhe Athina nënshkruan atë që njihet si Marrëveshja e Prespës, për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut. Kjo marrëveshje i ka dhënë fund kontestimeve shumëvjeçare duke iu hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.
Nga pala maqedonase, akordi u firmos nga kryeministri i kohës, Zoran Zaev e qeveria që drejtohej prej tij, si dhe nga kabineti që pasoi, i drejtuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski (të dy nga Lidhja Social Demokrate). Që të dy kanë respektuar në tërësi detyrimet e kësaj marrëveshjeje, duke përdorur emrin Maqedonia e Veriut.
Marrëveshja me Greqinë në vazhdimësi është kundërshtuar nga VMRO-DPMNE/ja, e cila në zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit fitoi bindshëm votimet presidenciale e parlamentare, ndërsa drejtuesit e saj në disa raste kanë përsëritur se në komunikimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar do të përdorin emrin e vjetër të shtetit.
“Betohem se do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Davkova duke lexuar betimin si presidente para deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.
Athina zyrtare së fundi ka refuzuar një kërkesë të Shkupit lidhur me zgjatjen e afatit për ndërrimin e dokumenteve personale edhe pas 12 shkurtit 2024, për shkak të pamundësisë për ndërrimin e tyre brenda afateve të paracaktuara.