E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë Miss Earth 2023, Drita Ziri. Për herë të parë, Shqipëria sjell një kurorë kaq të rëndësishme, teksa Drita përshkruan këtë eksperiencë të jashtëzakonshme për të. Ajo u shpreh për mbështetjen dhe përkrahjen që ka patur gjatë kësaj periudhe.
Si ishte kjo eksperiencë për ty?
Ishte e pabesueshme. Shkova në Vietnam për të parë një kulturë të re, që edhe nëse nuk fitoje do merrje eksperienca të reja. Por si çdo vajzë tjetër, është ajo dëshira për të fituar. Dhe ia dola, sa herë e kujtoj më rrëqethet mishi sepse ishte diçka shumë e bukur.
Si është jeta pas kurorëzimit?
Shumë gjëra ndryshojnë, kam pasur mundësinë të udhëtoj për në seminare dhe konferenca të ndryshme për problemet e Tokës dhe se si mund të ndihmojmë ne. Është dhe mbështetja botërore që merr nga fansat. Sidomos ata të Azisë japin një dashuri shumë të madhe. Sa herë që shkoj në Filipine fansat më presin me shumë dashuri në aeroport. Kjo vazhdon dhe pasi dorëzon kurorën.
Ndërkohë ti ke vazhduar modelingun pas një dëmtimi që nuk lejonte të merreshe më me balet…
Siç është dhe ajo fjala e urtë; Në çdo të keqe ka një të mirë. Jam munduar shumë në balet, familja ime dhe unë kemi sakrifikuar shumë, kam dhënë më të mirën time. Por ndodhën dëmtime dhe për të hequr mendjen babi më regjistroi në një agjenci modelingu. Kështu erdhi dhe puna e Miss-it.
A ndjekin Miss-et një dietë strikte aq sa të ‘ngordhin urie’? Po në rastin tënd?
Nuk dua t’i përgjithësoj, nuk është për të gjitha njësoj. Unë edhe sikur të dua të mbaj dietë, nuk mundem. Me ushqimin nuk bëj kompromis, e kam qejf, ha shumë. Jetoj me gjyshen dhe nuk mund t’i refuzoj ushqimet. Mundohem të kem nonjëherë kujdes kur shoh që po e teproj, por nuk mund të heq dorë nga asgjë.