Bota

Misioni i Kinës, një sukses! Sonda hapësinore kthehet me shkëmbinj të rrallë nga Hëna…

Misioni i Kinës në hënë përfundoi me sukses: Sonda e saj hapësinore u kthye me kampionet e para të formacioneve të rralla shkëmbore nga ana e paeksploruar e satelitit të vetëm natyror të Tokës.

“Chang’e-6” u ul në shkretëtirën e Mongolisë së Brendshme, pas një misioni gati dy-mujor i cili ishte i mbushur me rreziqe.

Shkencëtarët po presin me padurim analizimin e kampioneve me shpresën se ato mund të ofrojnë informacione të vyera në përgjigje të pyetjeve sesi janë formuar planetët.

Kina është vendi i vetëm që ka zbritur në anën e largët të Hënës, e cila konsiderohet teknikisht sfiduese për t’u arritur për shkak të distancës si edhe terrenit të vështirë, ku alternohen mes tyre kratere gjigandë e sipërfaqe të sheshta.

Ekspertët janë shumë të interesuar për këtë anë më pak të eksploruar pasi mendohet se ajo mund të përmbajë gjurmë akulli, çka nënkupton ujë, oksigjen dhe hidrogjen. Kampionët e marra atje thuhet se përfshijnë gurë vullkanikë 2.5 miliardë vjet të vjetër, si dhe materiale të tjera me mjaft interes.

Misioni Chang’e-6 është kthyer një burim krenarie për kombin që i ka shtuar gradualisht misionet e tij në Hënë, duke spostuar vëmendjen nga rivali i tij, SHBA. Sonda ishte nisur nga toka më 3 maj, ndërsa udhëtimi i saj zgjati 53 ditë.