Aktualitet Politikë

Miratohet pr/ligji për “Kërkimin Shkencor”!

Kuvendi miratoi sot pr/ligjet në rendin e ditës. Kështu, Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 2 kundër projektligjin “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”. Gjithashtu u miratua me 72 vota pro dhe 2 abstenime edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë”.

Kuvendi miratoi me 72 vota pro dhe 2 abstenime projektligjin për një ndryshim në ligjin, “Për fondin kullosor”, i ndryshuar.

Kuvendi rrëzoi me 74 vota kundër, 1 pro dhe 1 abstenim dekretin e Presidentit të Republikës, për ligjin “Për kthimin e ligjit për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 2 kundër projektvendimin “Për një ndryshim të vendimit nr. 66/2021 “Për zgjedhjen e Byrosë dhe përbërjen e sekretariateve të Kuvendit”, i ndryshuar”.

Sipas këtij projektvendimi Petro Koçi emërohet anëtar zëvendësuar në Sekretariatin për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Ndërsa Niko Peleshi emërohet sekretar i Sekretariatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Me 68 vota pro, 6 abstenime dhe 5 kundër u miratua edhe projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor “Për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up-it në Shëndetësi”. Afati i veprimtarisë së Komisionit Hetimor do të zgjatet deri në datën 14 nëntor.

Me 73 vota pro dhe 3 abstenime u miratua edhe projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

PD-ja kishte kërkuar që projektligji i ri për kërkimin shkencor në Shqipëri të tërhiqej, duke thënë se bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligje të tjera, si ai “Për Arsimin e Lartë” dhe “Për Akademinë e Shkencave”. Deputetja Ina Zhupa, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, tha se “ky projektligj është futur për miratim në komisionin përgjegjës, pa rregullore, për ta miratuar dhe kaluar në seancë plenare”.

Kërkimi shkencor dhe shkenca nuk është çështje elitare por kombëtare sepse lidhet me zhvillimin e vendit, me kapitalin e tij njerëzor dhe me të ardhmen si vend i zhvilluar apo si vend depozitimi mbetjesh, refugjatësh, droge, krimi.

Së pari, ligji duhet të mos bjerë në kundërshti me Kushtetutën, siç bie tashmë në Pikën 7, të Nenit 57  ku thuhet se autonomia e institucioneve të Arsimit të Lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj.

Së dyti, gjithë përplasjet me ligjin “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor duhet të zgjidhen në mënyrë integrale në ligj.

Së treti, zhbërja e Këshillit Shkencor me përbërje ministrash dhe drejtorësh politikë, me në krye kryeministrin Rama është një model antishkencor dhe antieuropian.