Telefonat celularë me 5G do të mund të përdoren në bordin e avionëve evropianë. Kjo është pika e kthesës e vendosur nga Komisioni Evropian, i cili përditësoi vendimin zbatues për spektrin e komunikimeve celulare në bord të avionëve, duke përcaktuar frekuenca të caktuara për teknologjinë 5G në fluturim.
5G do të mundësojë shërbime inovative për njerëzit dhe mundësi rritjeje për bizneset evropiane. Qielli nuk është më kufiri kur bëhet fjalë për mundësitë që ofron rrjeti me shpejtësi dhe kapacitet të lartë.
Shërbimi do të ofrohet në kabinën e avionëve të pajisur me pajisje të posaçme rrjeti për të lidhur përdoruesit dhe për të drejtuar thirrjet, mesazhet me tekst dhe të dhënat nëpërmjet një rrjeti satelitor. Komisioni ka ndryshuar gjithashtu një vendim zbatues për valët e frekuencës 5 GHz, i cili do t’i bëjë valët të disponueshëm për Wi-Fi në transportin rrugor, në makina dhe autobusë.
Vendimi hedh themelet për risitë në sektorin e automobilave. Sipas vendimit të ndryshuar zbatues, Shtetet Anëtare do t’i bëjnë valët e frekuencës 5 GHz të disponueshme për përdorim në bord në rrugë sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se deri më 30 qershor 2023.
Ndërkaq, rikujtojmë se rrjeti 6G pritet të pushtojë tregun rreth vitit 2030, teksa “universi industrial” po vazhdon të zgjerohet në industrinë e teknologjisë. Këtë parashikim e bëri Pekka Lundmark, shefi ekzekutiv i kompanisë të telekomunikimit Nokia. Ai i bëri këto komente në samitin e Davos, gjatë pjesëmarrjes në një panel të quajtur “perspektiva strategjike në ekonominë digjitale”. Gjatë fjalimit të tij, Lundmark tha se:
Momentalisht jemi duke zhvilluar dhe shpërndarë rrjetin 5G, por që siç e dimë, kohë pas kohe teknologjia kuantume po zhvillohet dhe përdoret për aplikacionet komerciale dhe pas gjithë këtij zhvillimi ne do të mund të flasim rreth rrjetit 6G. Deri atëherë, rreth vitit 2030, telefonat inteligjentë që ne kemi sot, nuk do të jenë gjëja më e zakonshme që ne do t’i përdorim.