Sot Këshilli Ministrave i dha dritën jeshile vendimit në lidhje me miratimin e listës së barnave të rimbursueshme nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor për të gjithë pacientët që vuajë nga patologji të ndryshme. Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vlerësoi se ky “është një vendim i rëndësishëm për të gjithë ata pacientë të cilët trajtohen me barna nga mjekët e familjes, sa i përket diagnozave të tyre”.
Në listën aktuale të barnave të rimbursueshme kemi 1 mijë e 191 medikamente, ndërsa me vendimin e sotëm, kësaj liste i shtohen 50 ilaçe të reja, nga të cilat 38 princip aktiv, medikament i ri dhe 18 formë doza të reja.
Ministrja Koçiu shtoi:
Të gjithë këta barna të rinj të shtuar në listën e medikamenteve të rimbursueshme, e çojnë këtë listë në rreth 1 mijë e 345 medikamente që do të rimbursohen nga Buxheti i Shtetit. Janë barna që mbështesin akoma më shumë të gjitha diagnozat e patologjitë e sëmundjeve onkologjike, diabetike, kardiovaskulare, pneumologjike dhe një sërë patologjish të tjera të rëndësishme, të cilat mbështeten akoma më shumë nga ky vendim i fundit i qeverisë.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për rimbursimin e fishave të diabetit për invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar.
Ne rimbursojmë fishat e diabetit për të gjithë ata pacientë që vuajnë nga sëmundje diabetike, ndërsa sot kemi shtuar akoma më shumë këtë fashë të mbulimit. Sot kemi nga zero deri në 25 vjeç fëmijët dhe të rinjtë të cilët mbulohen me këto fisha dhe qytetarët nga 65 vjeç e sipër. Janë 2 mijë invalidë pune që vuajnë nga sëmundja e diabetit dhe rreth 1.500 persona me aftësi të kufizuar që do të përfitojnë falas fishat e diabetit.
Rreth 4 muaj më parë, u rikthyen problemet e AKSHI-t me sistemin e nënshkrimit elektronik. Të sëmurëve kronikë, kryesisht pensionistët, iu duhej të prisnin në radhë, që mjeku i familjes të lëshonte recetën e barnave të rimbursueshme, e cila shkon online në farmaci. Kjo pasi sistemi elektronik i administruar nga AKSHI, bllokohej vazhdimisht e nuk i lejonte mjekët të vijonin procesin duke bërë që qytetarët të revoltoheshin. Kjo nuk ndodhte për herë të parë.
Jo vetëm pacientët, por edhe mjekët nëpër qendra shëndetësore kanë shprehur këtë shqetësim në vazhdimësi të mos funksionimit të sistemit elektronik, i cili shpesh i fut në konflikt me pacientët që duan të marrin në kohë barnat për kurimin e sëmundjeve që kanë, por nuk munden. Kjo i ka detyruar që shpesh, barnat që duhej t’i marrin falas, t’i blejnë me para nga xhepi.