Aktualitet Sociale

Miratohen 240 milion lekë për ndërmarrjet sociale, subvencionim për të papunët!

Mes disa vendimeve të miratuara sot nga qeveria shqiptare është edhe subvencionimi i ndërmarrjeve sociale për të papunët, për periudhën e viteve 2023-2025. Sipas Këshillit të Ministrave, tashmë shteti do të subvencionojë pagën minimale për kategoritë e disavantazhuara, pjesë e programit të mbrojtjes sociale për një periudhë 3-vjeçare. Po ashtu, kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se fondi 240 milion lekë për një periudhë 2-vjeçare, vjen si formë e re për integrimin dhe punësimin e individëve të ndërmarrjeve sociale. Manastirliu deklaroi:

Sot qeveria miratoi një seri vendimesh. Në kuadër të politikave të mbrojtjes e përfshirjes sociale për kategoritë në nevojë, zgjerimit të mekanizmave që mundësojnë mbështetjen sociale të grupeve të disavantazhuara e fuqizimin ekonomik të tyre nëpërmjet tregut të punës, miratuam një vendim, i cili vjen në zbatim të ligjit për ndërmarrjet sociale. Po ashtu, përcakton format e subvencionit për ndërmarrjet sociale, për periudhën 2023-2025. Vjen si vendim i dytë, me fondin e mbështetjes së ndërmarrjeve sociale në vlerën 240 milion lekë për 2023-2025.

Deri në 50% e të punësuarve në këto ndërmarrje do të jenë individë që janë pjesë e skemave të mbrojtjes sociale e të programit të daljes nga programi i ndihmës ekonomike.

Format e mbështetjes së ndërmarrjeve sociale përmes subvencionit do të bëhen të mundura pikërisht nga kategoritë e disavantazhuara, që janë pjesë e programeve të mbrojtjes sociale apo të papunësisë. Kjo me qëllim që të angazhohen në ndërmarrjet sociale, pra të punësohen, duke mundësuar që shteti të subvencionojë pagën minimale për ta për një periudhë 3 vjeçare, si dhe kontributet e sigurimeve shëndetësore e shoqërore po për këta individë.

Këto forma të mbështetjes, vijnë në kuadër të fuqizimit ekonomik të personave që janë në moshë aktive pune, pjesë e programeve të ndihmës ekonomike, por që do të kenë mundësi të riintegrohen në tregun e punës.