Së fundmi një fotograf ka akuzuar miqtë e modeles Cara Delevingne dhe Margot Robbie se e kanë sulmuar gjatë përpjekjeve për t’i bërë fotografi modeles dhe aktores gjatë fundjavës në Argjentinë. Megjithatë, burime që kanë njohuri për rastin kanë thënë për TMZ se, në fakt, paparaci dyshohet të ketë qenë agresori në incident dhe pothuajse shkaktoi lëndimin e dy yjeve teksa ato përpiqeshin të hipnin në një taksi.
Sipas njoftimit, aktorët e “Suicide Squad” ishin duke u larguar nga një restorant në Buenos Aires kur paparaci, i identifikuar si Pedro Alberto Orquera, dyshohet se filloi t’i bënte fotografi “në mënyrë agresive”. Shoferi i taksisë e nisi automjetin për shkak të sjelljes së paparacit derisa Delevingne ndodhej në makinë, kurse Robbie akoma nuk kishte hipur. Burimet kanë thënë se fotografi ishte shtyrë dhe ishte rrëzuar duke pësuar lëndime dhe frakturë në dorë. Megjithatë, në një prononcim për ‘The Sun on Monday’, ai ka treguar një version ndryshe.
Ishte një sulm brutal dhe frikacak nga sigurimi që ishte me to. Ata deshën të më rrëmbenin dhe të ma merrnin aparatin për t’i hequr imazhet.
Rikujtojmë se së fundmi Cara Delevingne ka bërë daljen e saj të parë publike pas raportimeve se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo u shfaq e vetme në një aeroport në Paris dhe fotografët e kapën të maskuar, me një kapuç dhe syze dielli.
Prej disa kohësh janë ngritur shumë pikëpyetje për gjendjen e shëndetit të saj mendor dhe deri më tani nuk dihet se çfarë po ndodh saktësisht me aktoren. Gjithçka nisi kur një video bëri xhiron e rrjetit ku modelja ishte pa këpucë dhe bënte disa veprime të çuditshme në një aeroport. Fansat dhe miqtë e saj kanë qenë shumë të shqetësuar mbi mirëqenien mendore të aktores.