Sport

Miqësore “luksi” për Egnatian, zyrtarizohet dueli kundër gjigandit italian!

Egnatia do të luajë një miqësore “luksi” kundër një emri të njohur të futbollit italian. Bëhet fjalë për Napolin, i cili ka konfirmuar se do të presë kampionët e Shqipërisë të dielën e 28 korrikut, në orën 20:00.

Me anë të një njoftimi në faqen zyrtare, ish-kampionët e Italisë shkruajnë: “SSC Napoli ka njoftuar se miqësorja e parë e kampit të tyre stërvitor në Castel di Sangro të dielën më 28 korrik në orën 20:00 nuk do të luhet kundër Adana Demirspor, për shkak të problemeve që ka përjetuar klubi turk, por kundër KF Egnatia, e cili u shpall kampione e Shqipërisë sezonin e kaluar”.

Gjithsesi, kjo miqësore do t’i ngjeshë kalendarin rrogozhinasve, të cilët më 25 korrik do të luajnë në kualifikueset e Ligës së Konferencës kundër ekipit të Vikingur Reykjavik në Islandë, teksa tre ditë më vonë do të udhëtojnë për në Itali. Më pas, ata do të kthehen sërish në Shqipëri për t’u përgatitur për ndeshjen e kthimit me skuadrën islandeze.