Aktualitet

Ministrja Koçiu reagon sërish për skandalin te Onkologjiku: “Korrupsioni, vija e kuqe për këdo që bën veprime të tilla”

Përveç hetimeve nga Prokuroria, paralelisht po zhvillohet një hetim administrativ për korrupsionin e zbuluar në shërbimin onkologjik në QSUT, ku mjekë dhe punonjës transferonin pacientë nga Onkologjiku drejt klinikave private.

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, në daljen për medias pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, foli me tone të ashpra për autorët e dyshuar dhe theksoi se nuk do të ketë tolerime.

“Dua të bëj edhe njëherë të qartë, që korrupsioni është vija e kuqe ndarëse mes interesit publik dhe kujdo që i shkon mendja të bëjë veprime të tilla të turpshme. Kemi nisur një hetim administrativ krahas hetimit nga Prokuroria, që shpresojmë të ndëshkojë të gjithë ata që kanë bërë këtë shkelje. Hetimi administrativ që kemi nisur me strukturat e brendshme, do të jetë një hetim që do të trajtojë shumë aspekte, çështjet e organizimit dhe punës në këtë shërbim”.

Koçiu paralajmëroi ndryshime ligjore në Urdhrin e Mjekut.

“Dikush që trajton jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës, s’mund të tolerohet. Do të iniciojmë ndryshime ligjiore, në Urdhrin e Mjekut, që ndëshkon këdo që nuk kryen detyrën në mënyrë profesionale, me integritet. Hetimi do të bëjë një ridimensionim të Onkologjikut”.

Edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e quajti të neveritshme skemën e abuzimit, teksa tha se “ata që njollosin bluzat e bardha”, do të marrin dënimin e merituar.

“Lidhur me ngjarjen e neveritshme, qëndrimi i qeverisë shqiptare është i i qartë, neveri dhe ndëshkim për këdo që njollos drejtësinë shqiptare, do të ndëshkohen sipas ligjit, disa banditë që njollosin bluzën e bardhë. Sigurisht do të ndërmarrim të gjitha masat që tha kolegia e Shëndetësisë. Në janar 2023 është ndërmarrë një hetim administrativ, është ndëshkuar një punonjëse, janar 2023 ka pasur një plan të qartë masash për hetim në QSUT me në fokus Onkologjikun, hetimi penal do të bëjë të vetën, në rrafshin e masave ligjore, mbështesim ato që tha kolegia e Shëndetësisë, qeveria mbështet maksimalisht bluzat e bardha, që tek infermierët deri tek profesorët që na kanë, s mundet që banditë me bluza të bardha të njollosin sistemin”.

Gjykata e Tiranës  bazuar në të dhënat operacionit, dha masën arrest shtëpie për  Edmond Gashin, mjek në onkologjik  i cili ka lidhje edhe me klinikën pirvate Megis që ndodhet në zonën e Unazes së Re, ku thuhet se transferoheshin pacientët. Po kështu, është lëshuar detyrim paraqitjeje për mjeken onkologe Alketa Pere dhe ish zv/drejtoreshën e QSUT0së, e cila mbulonte shërbimin onkologjik në atë periudhë  dhe dy persona të tjerë, të cilët merreshin me koordinimin në shërbimin onkologjik.