Aktualitet

Ministri Malaj: Gjykata Kushtetuese të plotësojë vendimin për profesionet e lira!

Ministria e Financave do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të plotësojë vendimin në lidhje me profesionet e lira për të saktësuar se çfarë do të ndodhë me pagesat që individët kryen nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit e deri në shfuqizimin e tij nga kjo gjykatë.

Kjo u bë e ditur gjatë konferencës për shtyp të mbajtur nga ministri i Financave, Petrit Malaj.

Gjykata Kushtetuese nuk shprehet se çdo të ndodhë me efektet që ka prodhuar ky ligj deri në momentin e vendimit të saj për ta shfuqizuar. Duke qenë se ky ligj ka prodhuar disa efekte financiare, po përgatisim një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese, ku do t’i kërkojmë saktësime.

Deri atëherë, nënvizoi ai, Ministria e Financave nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim.

Me marrjen e vendimit apo plotësimin e saktësimit do të ndjekim hapat në përputhje me të, shtoi Malaj.

Më 27 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi të mbajë të përjashtuar nga tatimi me 15% bizneset e vogla ofrues të shërbimeve profesionale, me xhiro vjetore deri 14 milion lekë. Gjykata shfyqizoi Nenin 69, shkronja dh, fjalia e 2 dhe e 3 e ligjit dhe nenin 4 të VKM 753/2023.

Sipas këtij vendimi, për të vetpunësuarit, individët tregtarë dhe entitetet ofrues të shërbimeve profesionale me të ardhura vjetore deri në 14 milion lekë në vit, tatimi i fitimit do të jetë zero deri në fund të 2029, nga 15 % që u miratua në fillim të këtij viti.

Ministri Malaj deklaroi sot se deri në fund të vitit parashikohet ulje e nivelit të borxhit me 0.57% krahasuar me vitin e kaluar duke çuar atë në nivelin 58.2%. Gjatë një konference për shtyp, Malaj foli për performancë pozitive të ekonomisë në këtë 7-mujor, si dhe lajmëroi ndërmarrjen e një reforme në skemën e pensioneve, për të cilën theksoi se ka nevojë për një skemë të dukshme që siguron pensione më të larta për njerëzit.

Në fokus do të jetë përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave. Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pesione më të larta për njerëzit.