Aktualitet

Ministri Malaj: 3.9% rritja ekonomike e vitit të ardhshëm!

Sot në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi projektbuxhetin për vitin 2025, për të cilin theksoi se “mbështet rritje ekonomike të qëndrueshme dhe konsolidimin e vazhdueshëm fiskal, që garantojnë mbështetje të zhvillimit ekonomiko-social të vendit”.

Referuar treguesve makroekonomikë, Malaj vuri në dukje se në skenarin bazë të programimit makrofiskal për vitin 2025, parashikohet që rritja ekonomike të arrijë në nivelin 3.9%.  Ai tha se kryesisht do të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, rritja e konsumit edhe nga investimet totale në ekonomi.

Në të njëjtën kohë, presim që edhe kërkesa e huaj neto të kontribuojë pozitivisht, veçanërisht për shkak të rritjes së eksporteve, me një rol të veçantë të sektorit të turizmit.

Lidhur me risqet për periudhën afatmesme, ministri informoi se ato mbeten të balancuara e të menaxhueshme.

Aktualisht, ekonomia është në një moment të mirë. Rritja në gjashtëmujorin e parë ishte 3.9%, kryesisht e ndikuar nga shërbimet dhe ndërtimi. Edhe për tremujorin e tretë, pritshmëritë janë pozitive, ndaj kemi rishikuar projeksionet për rritjen ekonomike nga 3.7% në 3.9%. Papunësia është ulur, ndërkohë janë rritur punësimi dhe pagat.

Sipas tij, në 9-mujorin e parë të 2024-ës, inflacioni ka zbritur në nivelin 2.3%, ku ndikim të madh në rënien e tij ka dhënë edhe forcimi i monedhës kombëtare. Kursi i forcuar i këmbimit, ka ardhur për shkak të turizmit, remitancave e investimeve të huaja direkte.

Pr/buxheti i vitit 2025, parashikon që viti të mbyllet me suficit prej 0.5 miliardë lekësh. Për vitin e ardhshëm presim që niveli i borxhit të zbresë në 55.8% nga 56.3% që e presim në fund të këtij viti. Parashikojmë rritje ekonomike në 3.9%, e ndikuar nga konsumi, nga shërbimet, si dhe rritja eksporteve. Rreziqet mbeten të balancuara e të menaxhuara, deklaroi ministri Malaj.

Më tej, ai vuri në dukje se të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB-së, rreth 40.6 miliardë lekë më shumë se në vitin 2024 e shpenzimet publike tejkalojnë shifrën e 8 miliardë eurove. Ndërkaq, në Komisionin e Ekonomisë, deputeti socialist, Erion Braçe kërkoi seancë të posaçme diskutimi për sigurimet shoqërore e çmimet e shportës.