Bota

Ministri izraelit, Gallant aludon për mundësinë e një ofensive tokësore në Liban!

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, aludoi sot se vendi i tij po përgatitet për një ofensivë tokësore në Liban. Duke folur me trupat e brigadës 188 të armatosur dhe të trupave të këmbësorisë Golani në kufirin verior, Gallant tha:

Eliminimi i Hassan Nasrallahut është një hap shumë i rëndësishëm, por nuk është gjithçka. Ne do të përdorim të gjitha aftësitë që kemi.

Gallant iu referua vrasjes së udhëheqësit të Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor gjatë sulmeve në periferi të Bejrutit. Ministri shtoi se “nëse dikush nga ana tjetër nuk e ka kuptuar se çfarë nënkuptojnë aftësitë do të thotë të gjitha aftësitë dhe ju jeni pjesë e kësaj përpjekjeje”.

Izraeli së fundi ka intensifikuar sulmet në jug të Libanit, por edhe në kryeqytetin Bejrut, duke vrarë disa komandantë të lartë të Hezbollahut. Grupi Hezbollah është organizatë e shpallur “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa Bashkimi Europian e ka në listë së zezë krahun e tij të armatosur, por jo dhe partinë politike. Partia politike Hezbollah ka një vend në Parlamentin libanez.

Po ashtu, Hezbollahu ka intensifikuar sulmet me raketa drejt Izraelit, por ushtria izraelite ka thënë se shumica e raketave janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore. Javën e kaluar, edhe shefi i ushtrisë izraelite aludoi se shteti mund të nisë një operacion tokësor në Liban.

Hezbollahu dhe Izraeli kanë shkëmbyer zjarr pothuajse në baza ditore përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor 2023, mes Izraelit e Hamasit. Ushtria izraelite ka thënë se sulmet e saj në Liban kanë për synim të degradojnë aftësitë e Hezbollahut.

Izraeli kreu të parin sulm ajror në Bejrutin qendror në pothuajse një vit konflikt. Sot u rrafshua një objekt banimi. Goditja erdhi pasi Izraeli sulmoi objektiva në mbarë Libanin, duke vrarë dhjetëra persona. Ndërkaq, Hezbollahu si grup militant pro-iranian e parti politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor ka marrë goditje të mëdha në strukturën komanduese, përfshirë vrasjen e liderit Hassan Nasrallah.

Biden tha se do të flasë së shpejti me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke shtuar se duhet të shmanget një luftë e plotë në Lindjen e Mesme. Pas përshkallëzimit dramatik të sulmeve ajrore izraelite në Liban, javët e fundit, Hezbollahu ka rritur ndjeshëm goditjet raketore. Por, shumica e raketave dhe dronëve janë rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Izraelit.