Aktualitet Politikë

Ministri i jashtëm hungarez: Do ishim të lumtur ta kishim Shqipërinë në BE!

Në krye të agjendës në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, është përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Lajmin e ka bërë me dije Ministri Hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, vend i cili mban Presidencën e radhës së BE-së dhe që do të drejtojë konferencën e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian .

Ai tha se “do të ishim vërtetë të lumtur të kishim vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, sidomos Shqipërinë”.

 “Ajo çka kemi vënë në krye të agjendës është përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Në fakt jetojmë në të njëjtin rajon dhe e dimë se çfarë ndryshimi ka zhvillimi në paqe dhe natyrisht që ne mund të ndihmojmë me zhvillimin e Ballkanit Perëndimor me zhvillimet paqësore në situatën e tyre.

Kështu që do të ishim vërtetë të lumtur të kishim vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, sidomos Shqipërinë. Kjo është dhe falë kryeministrit dhe kabinetit të tij sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, faleminderit”, tha Péter Szijjártó.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.

Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç në proceset integruese të një vendi për në BE. Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat përmes Konferencës  Ndërqeveritare. Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim.  Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi kandidatit për në BE në qershor 2014.