Aktualitet Politikë Rajoni

Ministri Hasani në Forumin e Bledit: Kemi nevojë për vendime të shpejta

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z. Igli Hasani, i ftuar në Forumin Strategjik të Bledit, mori pjesë në panelin me temë “Evropa e plotë dhe e lirë: Një angazhim i ripërtërirë për sigurinë evropiane”.

Ministri Hasani parashtroi përparimin e rëndësishëm që ka bërë Shqipëria, në udhëtimin e saj drejt integrimit evropian.

“Është e rëndësishme të kuptohet se Shqipëria nuk ka bërë thjesht përparim; Shqipëria ka bërë një përparim të madh që është konkret, i matshëm dhe real, dhe pranohet si i tillë. Të dyja, Bashkimi Evropian edhe Ballkani Perëndimor duhet të angazhohen në kohë për reforma dhe strategjitë inovative të integrimit. Ne kemi metodat dhe mjetet. Tani kemi nevojë për vendime të shpejta politike”,- theksoi Ministri Hasani.

Gjithashtu, ai vuri në dukje përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë për të vazhduar me zbatimin e reformave të domosdoshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.  Sipas tij, integrimi në BE është e vetmja rrugë e qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor, duke siguruar transformimin dhe ruajtjen e një Evrope të bashkuar.