E ftuar ditën e sotme në ‘Ndryshe’ për një intervistë si asnjëherë më parë ishte shkrimtarja, pedagogia dhe poetja e njohur, Mimoza Ahmeti.
Fillimisht, Ahmeti na tregoi se nga e ka trashëguar ‘genin’ e muzikës?
Me thënë të drejtën mami këndonte opera shumë në shtëpi gjithë ditën. Muzika klasike më dukej shumë teatrale, sidomos kur e këndonte ajo, zërin e kishte të mrekullueshëm.
A i sheh televizionet shqiptare Moza Ahmeti dhe nëse po çfarë mendon për mënyrën si bëhet televizion dhe çfarë transmetohet te publiku?
Unë prodhoj për emisionin shqiptar, vazhdon ritransmetohet emisioni im. Nuk paguhem nga RTSH. Këtu është bërë modë duke e ulur klasin e emisioneve. Po të shkojmë ne te publiku, ky quhet art invers. Nga gjithë tradita qe kemi pasur, arti përpiqet që të ngrejë nivelin. Megjithatë njeriu rri aty ku është, por e ka dhe një detyrë historike.
Sa e kënaqur është Ahmeti me mësimdhënien si pedagoge dhe si është niveli i studentëve sipas saj?
Shumë e lodhshme, por shumë e kënaqshme. Unë hyj te pedagogët e rrallë që jam shumë e kënaqur me studentët. Duhet ta zgjosh kodin. Kur ti i bën pjesë të leksionit, kur iu jep detyra, atëherë del jashtëzakonisht e bukur.
Si e ndjen muzën për krijimet e saj?
Muza të kap nuk është se e kërkon. Ajo të zë dhe të vjen si ngarkesë. Ajo të jep gjendje dhe nuk është më memece, por ka tendencën që të bëhet fjalë.
I pëlqejnë Mozës këngët dhe tekstet e artistëve të ditëve të sotme?
Me pëlqejnë tekstet e Era Istrefit, tekstet e Dafinës. Sidomos në këngët kosovare ka trend teksti dhe muzike shumë të bukur. Arti do suport, do lek, nuk bëhet arti në fukarallëk.