Bota

Miliona të zhvendosur nga luftërat dhe fatkeqësitë natyrore në mbarë botën!

Një raport i publikuar sot nga Qendra e Monitorimit të Zhvendosjes së Brendshme të Këshillit Norvegjez të Refugjatëve, vë në dukje se “lufta në Ukrainë ka ndikuar që numri i njerëzve të zhvendosur nga konfliktet ose fatkeqësitë natyrore të arrijë një rekord të ri prej 71.1 milionësh, vitin e kaluar”.

Deri në fund të vitit të kaluar, 5.9 milion njerëz ishin detyruar të lëviznin brenda Ukrainës për shkak të pushtimit të Rusisë, duke e çuar totalin global të njerëzve të zhvendosur brenda vendit nga konflikti dhe dhuna në më shumë se 62 milion, një rritje prej 17% që nga viti 2021.

Siria ka 6.8 milion të zhvendosur nga konflikti, pas më shumë se një dekade lufte civile. Po ashtu, arriti në 8.7 milion numri i njerëzve të zhvendosur brenda vendit të tyre në fund të vitit për shkak të fatkeqësive si përmbytjet dhe uria. Janë rreth 45% më shumë nga viti 2021.

Zhvendosja e brendshme u referohet njerëzve që detyrohen të lëvizin brenda kufijve të vendit të tyre dhe raporti i Qendrës së Monitorimit të Zhvendosjeve të Brendshme nuk ka marrë parasysh ata që janë larguar në shtete të ndryshme.

Më herët këtë javë, Agjencia e Kombeve të Bashkuara tha se 700 mijë njerëz tashmë janë zhvendosur brenda disa javësh nga konflikti në Sudan pasi aty vazhdojnë luftimet prej 15 prillit.

Qendra e Monitorimit të Zhvendosjeve të Brendshme përmendi ciklin natyror të motit La Nina, i cili vazhdoi për të tretin vit radhazi në vitin 2022, si një faktor kryesor në zhvendosjet nga fatkeqësitë.

“Ai kontribuoi në nivelet rekord të zhvendosjes së përmbytjeve në Pakistan, Nigeri e Brazil dhe në thatësirën më të keqe të regjistruar në Somali, Kenia dhe Etiopi”, – thuhet në raport. Jan Egeland, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve:

Kishte një stuhi konfliktesh dhe fatkeqësish natyrore në vitin 2022, duke çuar në zhvendosje në një shkallë të paparë më herët.