Së fundmi, Mila Kunis dhe Ashton Kutcher kanë dhuruar tre milionë dollarë për refugjatët ukrainas. Çifti i aktorëve kanë hapur një llogari për mbledhje fondesh në ‘GoFundMe’ me synimin e arritjes së shifrës të 30 milionë dollarëve për ndihma humanitare në kampet e refugjatëve. Aktorja gjatë videos së postuar në Instagram, së bashku me të shoqin bënë të njohur iniciativën e tyre:
Kam lindur në Chernivtsi në Ukrainë më 1983. Kam ardhur në Amerikë në 1991 dhe jam ndjerë gjithmonë amerikane. Por asnjëherë si tani nuk jam ndjerë kaq krenare që jam ukrainase.
Këto janë fjalë të aktores Mila Kunis e cila bashkë me aktorin e njohur Ashton Kutcher kanë vendosur të ndihmojnë rezistencën e popullit ukrainas. Kutcher vazhdon:
Edhe unë jam shumë krenar që jam martuar me një ukrainase.
Mila vijon duke thënë:
Kjo që po ndodh në Ukrainë është absurde, nuk ka vend për një sulm të tillë kundër njerëzimit.
Nëpërmjet platformës së krijuar në ‘GoFundMe.org’ donacionet do t’i kalohen më pas dy organizatave të specializuara për emergjenca civile, njëra merret me dërgimin e ndihmave, ndërsa tjetra merret me strehimin e refugjatëve që janë duke ikur drejt Polonisë, Rumanisë, Hungarisë, Slovakisë dhe Moldavisë.
Çifti ka disa kohë që e ka vazhduar vetë këtë iniciativë, duke mbledhur 3 milionë dollarë. Dyshja ka apeluar gjatë videos se:
Populli ukrainas ka nevojë për mbështetjen tuaj.
Sjellim në vëmendje gjithashtu se çifti i famshëm i Hollywood-it Ryan Reynolds dhe Blake Lively vendosën t’i vijnë në ndihmë refugjatëve të Ukrainës që po zhvendosen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar luftës. Reynolds premtoi nëpërmjet një postimi në Twitter se do të dhuronte 1 milion dollarë teksa do t’i bashkohej donatorëve të tjerë, për t’iu gjendur pranë personave që po luftojnë për të mbijetuar.