Nga konferenca e përvitshme me ambasadorët e Shqipërisë në botë kryeministri Edi Rama vlerësoi se tashmë diplomacia shqiptare ushqen respekt.
Rama e vuri theksin në integrimin Europian e posaçërisht në përfitimin nga paketa ekonomike e BE për vendet e rajonit.
“Shqipëria vitin tjetër do të mikpresë liderët e 44 vendeve evropiane nga Britania në Ukrainë apo nga Suedia e Norvegjia në Turqi vitin e ardhshëm në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Sa e rëndësishme është për ne që jemi një vend i vogël që të përfaqësohemi me volumin më të lartë të ambicies dhe aftësisë për të qenë të respektueshëm, na jep mundësinë që ne të jemi mikpritës i Samitit të NATO-s vitin 2027, as që mund të imagjinoheshin vite më parë”, njoftoi Kryeministri.
Pasi njoftoi mbajtjen e samitit të Komunitetit Politik Europian vitin e ardhshëm në Tiranë dhe atë të NATO-s në vendin tonë në vitin 2027, kryeministri Edi Rama kërkoi nga diplomatët shmangien e euforisë nga ajo çfarë është arritur deri më tani në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit tonë.
Kryeministri kërkoi angazhimin e ambasadorëve në bërjen realitet të ambicies së Shqipërisë në familjen Europiane.
“E dimë shumë mirë që 2030 duhet të na gjejë në gadishmëri të plotë për tu ulur në tryezën e BE-së si anëtarë të barabartë të familjes europiane. Ne duhet të jemi gati. Është shumë më e lehtë të thuash e shumë më e vështirë ta bësh sepse kërkon që gjithçka që kemi bërë deri tani ta konsiderojmë një stad ku mund dhe duhet të ngjitemi në një nivel të ri. E për këtë arsye duhet me patjetër që trupi ynë diplomatik të ngjitet në një nivel të ri”, tha Rama.
Igli Hasani ministër i punëve të jashtme tha se diplomacia jonë është një organizëm i gjallë, shumëdimensional, i projektuar drejt së ardhmes. Paralajmëroi një reformim të ministrisë që drejton.
“Së afërmi Ministria për Europën dhe Punët e Jasht do të ketë një strukturë të re, e cila, para së gjithash, rreh të përmirësojë punën dhe, gjithashtu, të zhdërvjelltësojë e intensifikojë marrëdhëniet mes dy gjymtyrëve kryesorë: Ministri dhe Përfaqësi, të cilat, në gjykimin tim, duhet të ushqejnë njëra-tjetrën me një energji të pandërprerë. Fragmentarizmi dhe refraktarizmi duhet t’i përkasin të shkuarës, ashtu si dhe mendësia e ndarjes në gjirin e këtij shërbimi në të privilegjuar dhe punëtorë me mëditje”, tha Hasani.
Tirana diplo 2024 ka në fokus sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin.//TCH