Bota

Mijëra specie të rrezikuara në botë, WWF veçon drerët e pinguinët perandorë!

Drerët dhe pinguinët perandorë janë ndër speciet e përzgjedhura nga organizata e njohur mjedisore WWF për të ilustruar kërcënimet me të cilat përballen mijëra kafshë në të gjithë botën. Në përmbledhjen vjetore të publikuar gjatë ditës së sotme, kjo organizatë vë në dukje:

Janë me mijëra specie që po luftojnë me një rënie të popullsisë dhe gjithashtu një numër në rritje të kërcënimeve. Lista e Kuqe Ndërkombëtare tani rendit më shumë se 42 mijë lloje kafshësh e bimësh, si të kërcënuara.

WWF iu referua Listës së Kuqe të Llojeve të Kërcënuara të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës.

Në vitin 2000, popullsia më e madhe në botë e drerëve të egër në rajonin Taimyr në arktikun rus përbëhej nga një milion kafshë. Sot, vetëm një e katërta e tyre kanë mbetur.

Si arsye kryesore të rënies, WWF përmend ndryshimet klimatike dhe gjuetinë pa leje. Po ashtu, organizata thekson gjendjen e vështirë të pinguinëve perandorë duke nënvizuar edhe se asgjë nuk ishte bërë këtë vit, për të mbrojtur më mirë këto specie.

Në nivelet aktuale të emetimit të gazit serrë, midis 80 dhe 100 për qind e të gjitha kolonive të njohura të pinguinëve perandorë janë në rrezik të zhdukjes deri në vitin 2100. Ndërkohë, ngordhjet masive të peshqve të kësaj vere në lumin Oder, i cili kalon midis Gjermanisë dhe Polonisë, gjithashtu u evidentua su një pengesë për rifutjen e blirit baltik, pasi mijëra peshq të rinj ngordhën.

Organizata WWF solli në vëmendje shembuj pozitivë të ruajtjes së specieve, duke përfshirë popullatën e tigrave në Nepal, e cila po rikuperohej mirë, si dhe balenat me gunga në Australi. Kafshët ishin hequr nga lista e specieve të rrezikuara për shkak të një rritjeje të konsiderueshme të popullsisë. Sidoqoftë, nevojiten më shumë masa për të mbrojtur balenat nga kërcënimet e tilla si peshkimi, trafiku i anijeve apo edhe ndotja.