Bota

Mijëra persona dyshohet se kanë vdekur nga stuhia në Libi!

Libia vazhdon të përballet me pasojat shkatërrimtare të përmbytjeve nga moti i keq me shira intensivë. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB, dy qeveritë rivale në Libi janë duke koordinuar përpjekjet për kërkim-shpëtimin. Më shumë se 5 mijë e 300 persona kanë humbur jetën si rezultat i krisjes së dy digave, të cilat kanë shkaktuar vërshime vdekjeprurëse në qytetin lindor Derna.

Të paktën 10 mijë vetë janë zhdukur e qindra mijëra tjerë u detyruan të zhvendosen nga shtëpitë e tyre. Një zyrtar i OKB-së bëri të ditur se të dy qeveritë kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe se janë duke u koordinuar me njëra-tjetrën.

Ekipet e Libisë janë duke kërkuar për të mbijetuar në qytetin Derna bashkë me skuadra që kanë shkuar të ndihmojnë nga Egjipti, Tunizia, Turqia, Italia e Spanja. Gjendjen në terren, ekipet e Kryqit të Kuq në Libi e kanë përshkruar sikur të ketë ndodhur një bombardim i madh dhe një tërmet në të njëjtën kohë.

Prej kohës së rrëzimit nga pushteti të udhëheqësit Muammar Gaddafi në vitin 2011, Libia është ndarë mes të dy qeverive rivale, të cilat disa herë janë përfshirë në konflikte.

Kryeministri Abdul Hamid Dbeibah drejton Qeverinë e Unitetit Kombëtar në Tripoli dhe gëzon mbështetjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Osama Hamad, kryeministër në lindje, udhëheq një administratë rivale të njohur si Shtëpia e Përfaqësuesve. Por, shumë persona besojnë se fuqinë e vërtetë në këtë krah e ka gjenerali Khalifa Haftar, i cili është në krye të Ushtrisë Kombëtare të Libisë.

Në Libi u shpallën tre ditë zie kombëtare në nderim të viktimave të stuhisë Daniel që e goditi vendin prej të dielës së kaluar. Ekspertët e klimës japin alarmin se ndryshimet klimatike nënkuptojnë praninë e një sasie më të madhe uji gjatë sezonit veror, çka mund të rezultojë në stuhi intensive e vrastare.