Bota

Microsoft mbyll zyrat në Rusi!

Së fundmi Microsoft ka zvogëluar edhe më tej operacionet e tij në Rusi, pas më shumë se tre muaj nga pushtimi i Ukrainës. ‘Bloomberg’ raporton, se gjiganti i Redmond, pasi bllokoi shitjen e produkteve dhe shërbimeve në vend në fillim të muajit mars, ka vendosur të mbyllë plotësisht zyrat dhe bizneset e tij, një vendim që prek 400 punonjës. Një zëdhënës i Microsoft për ‘Bloomberg News’ tha se:

Si rezultat i ndryshimeve në perspektivën ekonomike dhe ndikimit në biznesin tonë në Rusi, ne kemi marrë vendimin për të reduktuar ndjeshëm operacionet tona. Ne do të vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona kontraktuale ekzistuese me klientët rusë.

CFO e Microsoft, Amy Hood zbuloi në fillim të këtij viti se Rusia përbën më pak se 1% të të ardhurave globale të kompanisë. Gjiganti amerikan nuk është i pari që pezullon apo mbyll aktivitetet e tij në Rusi. Shumë kompani ndërkombëtare, duke përfshirë Dell, Apple, Nike dhe Adidas, prej kohësh kanë ndërprerë lidhjet me Moskën, duke mbyllur dyqanet ose duke ndaluar shitjet. Është e paqartë nëse punonjësit e prekur nga vendimi do të zhvendosen në zona të tjera të Microsoft, me mundësinë e punës nga distanca.