Rajoni

Mickoski sot mandatohet për kryeministër të Maqedonisë së Veriut!

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, sot do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë, kryetarit të VMRO-DPMNE/së, Hristijan Mickoski. Sipas Kushtetutës, mandati i jepet partisë që në zgjedhje ka fituar numrin më të madh të deputetëve e që arrin të sigurojë mbi 60 vota për votimin në Kuvend.

Në zgjedhjet parlamentare më 8 maj, VMRO-DPMNE/ja fitoi 58 vende në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, nga 120 sa janë gjithsej. Pas marrjes së mandatit, kryetari i VMRO-DPMNE/së, Hristijan Mickoski ka afat 20 ditor për paraqitjen në Kuvend të përbërjes së re të qeverisë, si dhe programin e punës.

Mickoski u shpreh se dorëzimin e listës me emrat për përbërjen e qeverisë së re do ta bëjë në afatin e parë të mundshëm.

Pres që ta dorëzoj përbërjen sa më shpejt të jetë e mundur apo para festave fetare që vijnë, Kurban Bajrami më 16 qershor dhe Dita e shpirtrave më 21 qershor, tha Mickoski.

Qeveria e re do të formohet nga VMRO-DPMNE/ja, koalicioni shqiptar VLEN dhe lëvizja ZNAM. Këto tre parti së bashku do të kenë 78 deputetë. Para votimit të ekzekutivit, parlamenti duhet të miratojë një ligj për riorganizimin e ministrive, megjithatë, për këtë nevojitet shumica prej dy të tretash (apo 80 vota) në kuvendin prej 120 anëtarësh.

Një ditë më parë, Mickoski dorëzoi propozim-amendamentet në parlament, por ndonëse nuk ka preferuar që të konfirmojë direkt nëse ka siguruar mbështetjen e 80 deputetëve, vuri në dukje se ata nuk janë “fillestarë në politikë” për të “besuar në rastësi”.

Ne nuk jemi politikanë naivë që të besojmë në rastësi. Në politikë rrallëherë ka rastësi, është shprehur Mickoski.

Mickoski nuk ka dhënë detaje rreth ndarjes së ministrive apo se kush do t’i drejtojë ato, ndërkohë që përfaqësues të koalicionit VLEN kanë thënë se në qeverinë e re do të kenë një zëvendëskryeministër, gjashtë ministri, si dhe shtatë zëvendësministra. Nga radhët e koalicionit VLEN është edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili në këtë post u zgjodh më 28 maj.