Rajoni

Mickoski prezanton përbërjen e Qeverisë së re, 6 ministri për partitë shqiptare!

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, të martën e ka dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut listën me përbërjen e Qeverisë së re, e cila pritet të miratohet në seancën që do të mbahet më 22 dhe 23 qershor.

Ai tha se Qeveria e re do të ketë si prioritet kryesor sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve, por edhe integrimin evropian të vendit, “veçse jo me iluzione siç bënë të tjerët apo duke i dëmtuar interesat tona kombëtare”.

“Shteti më në fund është liruar nga qeverisja e deritashme dhe do t’u kthehet qytetarëve. Çdonjëri prej nesh duhet të ketë në plan të parë interesat shtetërore e kombëtare, në të kundërtën nuk mund të ketë vend në Qeveri”, u shpreh Mickoski.

Mickoski është mandatuar për kryeministër nga presidentja e shtetit, Gordana Silanovska-Davkova pas fitores së thellë të VMRO DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.

Qeverinë e re do ta përbëjnë VMRO DPMNE-ja, koalicioni i partive shqiptare VLEN dhe partia ZNAM.

Këto parti kanë një shumicë parlamentare prej 78 deputetëve nga 120 sa numëron gjithsej Kuvendi.

Për zgjedhjen e Qeverisë së re duhet të votojnë 61 deputetë, ndërsa sipas rregullores së Kuvendit, debati nuk mund të zgjasë më shumë se dy ditë.

Qeveria e re do të ketë 24 ministri, apo katër më shumë se përbërja e deritashme, pasi Kuvendi me kërkesë të mandatarit Mickoski, ka miratuar një ligj për riorganizimin e ministrive.

“Qytetarët presin rezultate të shpejta dhe ata këtë e meritojnë. Do të angazhohemi për zhvillimin e vendit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jetë e pakompromis. Tolerancë zero për çdonjërin që përfshihet në krim apo skandale korruptive. Planifikojmë t’i pastrojmë të gjitha dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare gjatë shtatë vjetëve të kaluara. Këtë e meritojnë qytetarët dhe personalisht do të angazhohem që të zbardhet gjithçka çfarë ka ndodhur”, tha Mickoski.

Duke folur për zhvillimin e vendit, ai premtoi mbështetje për bizneset si dhe të rinjtë në mënyrë që, siç u shpreh, “të ardhmen ta gjejnë në vendin tonë dhe jo jashtë tij”.

Ministritë me rol kyç drejtohen nga VMRO DPMNE-ja

Partia e Mickoskit, VMRO DPMNE-ja, do të ketë numrin më të madh të ministrive, të cilat edhe kanë role kyç në Qeverinë e re.

Ndër ndryshimet e paraqitura është se nga Ministria e Ekonomisë do të formohet Ministria e Ekonomisë dhe e Punës, kurse sektori i energjetikës që funksiononte në kuadër të saj, do të bëhet Ministri për Energjetikë dhe Miniera.

Zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit do të jetë Aleksandar Nikolloski. Për ministër të Mbrojtjes është caktuar Vllado Misajllovski, ndërsa ministër i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkoski.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë do të drejtohet nga Timço Mucunski, ndërsa Ministria e Financave nga Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Ministria e re e Energjetikës do të drejtohet nga Sanja Bozhinovska, ndërsa e Ministria e Arsimit nga Vesna Janevska.

Drejtuesit e këtyre ministrive janë bashkëpunëtorët më të afërt të Hristijan Mickoskit.

“Pres që çdonjëri prej tyre do të japë maksimumin pasi qytetarët presin rezultate. Gjatë përzgjedhjes së kuadrove të Qeverisë së re, jam udhëhequr nga parimet e ndershmërisë dhe përkushtimit. Të jenë njerëz që do t’u japin energji të madhe proceseve dhe do të investojnë plotësisht në realizimin e synimeve ambicioze të vendosura. Nuk e kemi luksin të mos ia dalim”, deklaroi Mickoski gjatë prezantimit të kandidatëve për ministra.

Ivan Stoilkoviq i afërt me Moskën, pjesë e Qeverisë

Poste ministrore në Qeverinë e re do të kenë edhe disa parti më të vogla që ishin pjesë e koalicionit parazgjedhor me VMRO DPMNE-në.

Kryetari Partisë Demokratike Serbe, Ivan Stoilkoviq, do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër për Marrëdhënie mes Etniteteve.

Stoilkoviq konsiderohet një politikan i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është nën sanksionet e SHBA-së.

Stoilkoviq gjithashtu kultivon marrëdhënie të mira me Rusinë. Ai ishte njëri nga tre deputetët e Kuvendit, të cilët javën e kaluar u paraqitën si mysafirë në pritjen shtetërore me rastin e festës kombëtare – Ditës së Rusisë, të organizuar nga Ambasada ruse në Shkup.

Në maj të vitit të kaluar, Stoilkoviq mori pjesë në forumin ndërkombëtar të sigurisë në Moskë.

“Përvoja e çmuar dhe shumë njohuri të reja, ky ishte bilanci i udhëtimit tim në Rusi”, pati komentuar Stoilkoviq në Facebook pas pjesëmarrjes në këtë manifestim.

Partitë shqiptare, me gjashtë ministri në Qeverinë e re

Koalicioni VLEN që përbëhet nga katër parti shqiptare, në Qeverinë e re do të drejtojë gjashtë ministri ndërsa do të ketë edhe shtatë zëvendësministra.

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Ekologjisë do të jetë Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike. Besar Durmishi dhe Fatmir Limani nga Lëvizja Besa do të drejtojnë Ministritë e Politikës Sociale dhe Ekonomisë.

Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, do të jetë ministër i Shëndetësisë, ndërsa Arben Fetai nga kjo parti është caktuar për zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.

Orhan Murtezani nga partia Alternativa do të drejtojë Ministrinë e re për Eurointegrime.

Ky do të jetë mandati i parë i Hristijan Mickoskit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut. VMRO-DPMNE është në opozitë që nga viti 2017, kur pas zgjedhjeve të vitit 2016, ra Qeveria e Nikolla Gruevskit, i cili u arratis në Hungari pas akuzave të ngritura ndaj tij për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Por, VMRO DPMNE-ja në zgjedhjet e 8 majit fitoi bindshëm duke i shkaktuar LSDM-së disfatën më të thellë që nga formimi i saj në fillim të viteve ’90, shkruan REL.

Në opozitë kalon edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili ka qenë pjesë e qeverisë që nga viti 2002.

Kjo parti, e cila ka qenë në shënjestër të kritikave të shumta të opinionit më të gjerë për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion, në zgjedhjet parlamentare udhëhoqi atë që njihet si Front Evropian dhe në përbërje të tij kishte edhe katër parti të bashkësive etnike rome, turke dhe boshnjake.