” @ The Movies” , rikujtoi sot komedinë e famshme dhe aq të dashur për të gjithë publikun, “Pallati 176”, në nder të ditëlindjes së të madhit Roland Trebicka. Batutat, të qeshurat, shprehjet që i themi sa e sa herë në zhargonin e përditshëm sollën të qeshura edhe sot në program. Me regji të Alfred Bualotit dhe Andon Qesarit, shkruar nga Adelina Balashi, “Pallati 176” u soll në ekranin televiziv nga regjisori Mevlan Shanaj, artist i merituar.
Për të zbuluar më tepër detaje mbi realizimin, Shanaj foli në një intervistë në TAR duke e personifikuar “Pallatin 176” me Rolandin, e duke shtuar se batutat e tij aq të natyrshme i bënin portretet të qeshnin.
Për mikun e tij, ai u shpreh se ndjen vetëm mall dhe dhimbje dhe personazhe si Trebicka vijnë rrallë. Më tej, Shanaj tha se arti sot në Shqipëri vijon të prodhojë shfaqje dhe realizime të mira, sepse shoqëria evoluon, por si “Pallati 176” nuk bëhen më. Ai theksoi se nuk duhet të ngatërrojmë ideologjinë komuniste me artin e vërtetë, pasi filma si “Zonja nga qyteti”, “Tokë e përgjakur” etj, pra të asaj periudhe, mbeten shumë aktuale dhe të paarritshme, teksa është bërë një punë kolosale për to.
Shikuesit e “Pallati 176” sa herë e shohin komedinë ndihen sikur janë prezentë në sallën e teatrit të vitit 1986, pasi të qeshurat dhe duartrokitjet e publikut në sallë janë sjellë origjinale duke i shtuar vlerë komedisë.