“Për pesë orë me makinë, ne udhëtuam përgjatë bregdetit gjarpërues shqiptar, nëpër kodra të pyllëzuara e pothuajse të eklipsuara nga qendrat tregtare të shndritshme dhe blloqet e apartamenteve deri në Sarandë, një qytet turistik i cili në videot e TikTok është konsideruar si “Maldivet e Evropës”, shkruan Alice Murphy në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Metro”.
Por, ndërsa i afrohemi kësaj pjese të famshme të parajsës, ndërtesat bëhen më të shpeshta duke u formuar si kërpudha në një grup hotelesh shumëkatëshe në bregun e gjirit në formë patkoi të Sarandës. Pasi vizitova së fundmi Maldivet, mund të konfirmoj se bregdeti jugor i Shqipërisë krenohet me pamjen e ngjashme të oqeanit blu të ndritshëm.
Por, çfarë do të thotë një rritje e papritur e popullaritetit për Shqipërinë dhe vizitorët e saj? Si mund të mbrohet bukuria e saj natyrore nga plaga e turizmit masiv?
Një thikë me dy presa
Eksperti i udhëtimeve, Nausheen Farishta tha se bumi i turizmit në Shqipëri është një “thikë me dy presa”. “Nga njëra anë, sjell mundësi të nevojshme për komunitetet lokale. Por, ne nuk mund të mbyllim një sy ndaj sfidave që vijnë me këtë rritje të shpejtë”, tha themeluesi i “Globe Gazers”.
Shqipëria mirëpriti 7,5 milion vizitorë ndërkombëtare në vitin 2022 dhe 10,1 milion vitin e kaluar”, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit. Dhe ky trend është vetëm në rritje. Eshtë një kthesë e jashtëzakonshme për një vend që dikur ishte një nga kombet më të izoluar të Evropës. Një vend që hapi dyert për vizitorët e huaj kur komunizmi ra pas katër dekadash diktaturë, më 1991.
Një parajsë e përballueshme
Ishim në një udhëtim vajzash, të joshura nga historia magjepsëse dhe videot virale të ujërave bruz e rërës së bardhë të pacënuar. Një mori faqesh në internet për udhëtime na dhanë arsye të mjaftueshme për të rezervuar pushimet në vendin e Evropës Jugore që kufizohet me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, me një vijë bregdetare prej rreth 400 kilometrash të mbushur me plazhe të bukura. Po ashtu me vende të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, mikpritje të ngrohtë dhe mot me diell.
Shqipëria ka atraksione të shumta turistike. Ishte emocionuese të eksploroje muzetë e baret e modës të Tiranës dhe padyshim e këndshme të qëndroje në shtretër kabane përgjatë Rivierës Shqiptare.
“Kudo që shkuam kishte plazhe idilike, bare verërash në majë të kodrave, restorante që shërbenin ushqim deti të klasit botëror”, shkruan Jenoa Matthes, një eksperte e udhëtimeve.
“Mendojmë se jemi plotësues në këtë hartë të turizmit mes Kroacisë, Italisë dhe Greqisë”, tha në një intervistë për “The Independent” në fillim të këtij viti, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.
Bumi i turizmit
Pasojat e viteve të turizmit masiv po trondisin Evropën këtë verë, pasi protestat antiturizëm po mbushin rrugët e qyteteve kryesore spanjolle ndërsa demonstratat po i detyrojnë anijet të ndryshojnë kursin e tyre. Në Barcelonë, vendasit kanë marrë përsipër të lagin turistët me pistoleta uji. Në fillim të këtij viti, demonstruesit në Ishujt Kanarie organizuan një grevë urie në shenjë proteste ndaj rritjes së numrit të pushuesve.
Qytetet duke përfshirë Vjenën, Berlinin dhe Barcelonën kanë vendosur kufizime në qiratë, që do të thotë se pronarët mund të japin me qira ambiente për turistët vetëm për një periudhë të kufizuar të vitit.
Por, ndërsa shumë destinacione po tërhiqen nga turizmi, Shqipëria po ecën përpara drejt zhvillimit të saj. Eshtë e qartë se bumi i fundit i turizmit i ka ofruar Shqipërisë mundësi të jashtëzakonshme për të gjeneruar zhvillimin ekonomik dhe sfida shqetësuese.