“Në kërkim të diellit dhe pa turma turistësh? Plazhi më pak i mbushur me vizitorë në Evropë tashmë është zbuluar dhe ndodhet në një vend relativisht të panjohur”. Kështu shkruan Eleanor Noyce në të përditshmen britanike “Metro”.
Plazhi i Durrësit në Shqipëri ofron një hapësirë më të madhe për vendosjen e peshqirave nga plazhistët. Në fund të fundit, nuk ka asgjë më të keqe sesa të ndihesh ngushtë në një vend të mbipopulluar gjatë pushimeve. Hulumtimi, i kryer nga Wizz Air, analizoi mbi 50 vende evropiane dhe plazhet e tyre më të mira për të përcaktuar vendpushimet më pak dhe më shumë të populluara.
Llogaritja përfshinte matjen e plazhit, ndarjen e zonës së tij me madhësinë e një peshqiri plazhi dhe më pas me numrin mesatar të vizitorëve ditorë, për të bërë një vlerësim se sa hapësirë ofron çdo plazh për person. Plazhi i Durrësit rreth 10,5 kilometra i gjatë u rendit në vendin e parë duke mposhtur vende të njohura në Francë, Portugali dhe Spanjë.
I ndjekur nga plazhi Camber Sands në Sussex-in Lindor, Britani e Madhe, i cili la pas plazhet si Praia da Falésia e Portugalisë dhe Playa d’en Bossa të Spanjës që u renditën respektivisht në vendin e shtatë dhe të dhjetë. Playa Sa Caleta në Ibiza, Spanjë, rezultoi plazhi më i mbipopulluar.
Aktivitetet që mund të bëni pranë Plazhit të Durrësit, Shqipëri
Plazhi i Durrësit mund të jetë cilësuar si “i bukur” nga platforma Reddit, por edhe si një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, këtu ka shumë histori për t’u zbuluar. Amfiteatri i Durrësit është një trashëgimi e epokës romake dhe dikur kishte 20 mijë njerëz. Ndërtimi filloi gjatë shekullit të II pas Krishtit dhe ky mbetet amfiteatri më i madh i ndërtuar ndonjëherë në Gadishullin Ballkanik, kështu që ia vlen të vizitohet.
Aty pranë ndodhet edhe Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i cili, si muzeu më i madh arkeologjik në vend, tregon historinë e Shqipërisë përmes objekteve prehistorike. Gjithashtu, Durrësi është i njohur për kulturën e tij të verës.
Kur të shkoni në Plazhin e Durrësit, Shqipëri
Nëse jeni duke kërkuar pushime të minutës së fundit për t’i dhënë lamtumirën verës, lajmi i mirë është se temperaturat mbeten të larta në këtë periudhë të vitit në Shqipëri duke arritur mesataren prej 21 gradë Celcius në shtator dhe 16 gradë Celcius në tetor.
Megjithatë, Shqipëria përjeton temperaturat më të ngrohta gjatë qershorit, korrikut dhe gushtit, që variojnë midis 22 dhe 24 gradë Celcius.