Një grup studiuesish kanadezë kanë zbuluar dy minerale të reja, pasi kanë studiuar një pjesë të hollë të një meteori 15 tonësh që u rrëzua në Afrikën Lindore. Meteori, i nënti më i madhi që dihet se ekziston, ka një gjerësi prej mbi 2 metrash dhe u zbulua në Somali në vitin 2020. Shkencëtarët perëndimorë e quajtën shkëmbin jashtëtokësor El Ali, sepse u gjet pranë qytetit El Ali në rajonin Hiiraan të Somalisë. Një mostër 70 gramëshe e meteoritit, përbërja e të cilit është kryesisht hekur, u dërgua në koleksionin e meteoritëve në Universitetin e Albertës në Kanada për klasifikim.
Chris Herd, i Departamentit të Shkencave të Tokës dhe Atmosferës dhe kurator i koleksionit, tha se gjatë klasifikimit të shkëmbit, ai vuri re minerale “të pazakonta”. Më pas, ai i kërkoi kreut të laboratorit të “mikrosondës elektronike” të universitetit, Andrew Locock, për të hetuar. “Ditën e parë që bëmë disa analiza, menjëherë i thashë vetes se kishte të paktën dy minerale të reja atje. Por doja të isha i sigurt. Ishte një zbulim fenomenal. Në fakt, në shumicën e rasteve duhet shumë më tepër punë për të pohuar se kemi të bëjmë me një mineral të ri”, shpjegoi Herd.
Minerale të ngjashme ishin krijuar në mënyrë sintetike në laborator në vitet 1980, por nuk ishin vërejtur kurrë në natyrë. “Këto minerale të reja mund të ndihmojnë për të kuptuar se si funksionon laboratori i natyrës dhe mund të kenë aplikime ende të panjohura në botën reale”, shton Herd. Një mineral i tretë potencialisht i ri është ende duke u hetuar. Dy mineralet e reja janë emërtuar një elaliite, nga vendi i zbulimit (El Ali), tjetri elkinstantonite, nga Lindy Elkins-Tanton, përgjegjës kryesor për misionin e ardhshëm Psyche të NASA-s, i cili synon të dërgojë një anije kozmike në një asteroid të pasur me metal.
“Lindy Elkins-Tanton ka studiuar gjerësisht se si formohen bërthamat e planetëve, të cilat përbëhen kryesisht nga hekuri dhe nikeli, ashtu si meteorët e hekurit dhe në veçanti ai që gjendet në Somali. Kështu që kishte kuptim të emërtonim atë mineral dhe të njihnim kontributin e tij në shkencë”, shpjegon Herd.