Tech

Meta ka shkelur ligjet e reja digjitale të BE-së!

Meta e Mark Zuckerberg ka shkelur ligjet e reja digjitale të BE-së me një model reklamimi që tarifon përdoruesit për versionet pa reklama të Facebook dhe Instagram, sipas Komisionit Evropian. Meta ka prezantuar një model “paguaj ose mirato” vitin e kaluar në një përpjekje për të respektuar rregullat e privatësisë së të dhënave të bllokut, sipas të cilave përdoruesit paguajnë një tarifë mujore për një version pa reklama të Facebook ose Instagram që nuk përdor të dhënat e tyre personale për qëllime reklamimi.

Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së, tha se modeli nuk përputhet me Aktin e Tregjeve Digjitale (DMA), i cili është krijuar për të frenuar kompanitë e mëdha të teknologjisë. Komisioni nxori gjetjet paraprake nga një hetim mbi “paguaj ose mirato” dhe zbuloi se modeli “i detyron përdoruesit të pranojnë” që të dhënat e tyre të mblidhen nga platforma të shumta.

Ai gjithashtu nuk i lejon përdoruesit të zgjedhin një shërbim që përdor më pak nga të dhënat e tyre, por është i ngjashëm me versionet “me reklama” të Facebook dhe Instagram. “Në këndvështrimin paraprak të komisionit, kjo zgjedhje binare i detyron përdoruesit të pranojnë kombinimin e të dhënave të tyre personale dhe nuk arrin t’u ofrojë atyre një version më pak të personalizuar, por ekuivalent të rrjeteve sociale të Metës”-tha komisioni.

Gjithashtu, ai theksoi se për të respektuar DMA-në, Meta duhet të lëshojë versione “ekuivalente” të Facebook dhe Instagram që përdorin më pak të dhëna të njerëzve. “Abonimet si një alternativë ndaj reklamave janë një model biznesi i përcaktuar në shumë industri dhe ne kemi projektuar abonimin pa reklama për të adresuar disa detyrime rregullatore duke përfshirë DMA-në. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi në mënyrë konstruktive me komisionin”-deklaroi Meta. Komisioni duhet të përfundojë hetimin e tij deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm dhe Meta përballet me një gjobë deri në 10% të xhiros globale, ekuivalente me 13.5 miliardë dollarë nëse konsiderohet se ka shkelur aktin.