Tech

Meta bllokon mediat shtetërore ruse nga platformat e saj!

Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, njoftoi së fundmi se po ndalon mediat shtetërore ruse të aksesojnë platformat e saj në mbarë botën për të shmangur çdo “ndërhyrje të huaj”. Lajmi u bë i ditur pak ditë pasi Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken denoncoi aktivitetet destabilizuese të medias ruse Russia Today (RT), e cila, siç tha ai është kthyer në një “degë” të shërbimeve të inteligjencës ruse.

“Pas shqyrtimit, ne ndërmorrëm veprimet tona kundër mediave shtetërore ruse. Rossiya Segodnya, RT dhe subjekte të tjera janë tashmë të bllokuara nga platformat tona në mbarë botën për shkak të veprimeve të ndërhyrjeve të huaja”-tha Meta në një deklaratë. Rreth 15 ditë më parë, autoritetet amerikane shpalosën një sërë masash që synojnë kryesisht mediat ruse, duke përfshirë akuzat penale dhe sanksionet, për t’u marrë me përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, për të cilat ata fajësojnë Rusinë.

RT, e cila filloi veprimtarinë në 2005, konsiderohet nga perëndimorët si një organ propagandistik i Kremlinit. Nga ana e tij, rrjeti ka komentuar me ironi veprimet amerikane dhe ka akuzuar SHBA-në se e pengon atë të funksionojë si organizatë gazetareske. Në një postim në Telegram të premten, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova komentoi: “Unë mendoj se një profesion i ri duhet të krijohet në SHBA: specialist në sanksionet kundër Rusisë”.

Rikujtojmë se Chatboti ”ChatGPT” është përdorur nga një rrjet llogarish iraniane për të gjeneruar tekste që synojnë të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale në SHBA. “Ne ndaluam llogaritë e lidhura me një operacion të ndikimit iranian që përdorte ChatGPT për të gjeneruar përmbajtje të përqendruar në tema të shumta, duke përfshirë fushatën presidenciale të SHBA-së”-theksoi kompania në një deklaratë.