Health & Beauty Lifestyle

Mësoni se sa gradë duhet ta mbani kondicionerin ditën dhe sa natën!

Ventilatorët dhe kondicionerët janë aleatët tanë më të mirë për të përballuar vapën. Temperatura e ajrit të kondicionuar mund të jetë shkak për mosmarrëveshje në shtëpi apo në vendet e punës, pasi jo të gjithë e ndjejnë vapën në të njëjtën mënyrë dhe njerëz të ndryshëm ndihen rehat në temperatura të ndryshme. Prandaj, rekomandohet që të mbajmë temperaturën e ajrit të kondicionuar midis 24 dhe 26 gradë Celsius.

Gjithashtu, në këtë temperaturë ne do të minimizojmë edhe shpenzimin e energjisë. Në mes të valës së të nxehtit, edhe netët e verës mund të jenë të vështira. Por, nëse e mbani ndezur edhe gjatë natës kondicionerin, temperaturën e tij duhet ta lini në shifrat 26 deri në 28. Sipas ekspertëve, ajo që na pengon të flemë në netët më të nxehta është lagështia dhe në një temperaturë 28 gradë ajo zhduket.

Pavarësisht temperaturave të larta që mund të arrihen gjatë verës, nuk është e nevojshme të mbash kondicioner gjatë gjithë ditës. Izolimi i dhomës ndërkohë që pajisja është në punë do ta ndihmojë atë të ftohet më shpejt, ashtu si mbyllja e dritareve dhe ulja e grilave gjatë mesit të ditës, veçanërisht nëse dielli i bie drejtpërdrejt dritareve.

Kondicionerët janë të domosdoshëm në shtëpi gjatë ditëve dhe netëve të nxehta të verës. Shpesh, shumë njerëz flenë në një dhomë me kondicioner të ndezur, për të shpëtuar nga djersitja, zgjimet e vazhdueshme dhe shqetësimet që sjellin netë të tilla të nxehta. Temperaturat në verë shpesh i kalojnë 35 gradë Celsius, por shumë mjekë paralajmërojnë se nuk është e shëndetshme që temperatura në dhomë të jetë dukshëm më e ulët se jashtë.

Ekspertët nuk e rekomandojnë gjumin me kondicioner të ndezur dhe nënvizojnë se është e rëndësishme që dhomat të freskohen para se të shkoni në shtrat. Domethënë ju mund të përdorni kondicionerin që ndodhet në një dhomë tjetër ose të ftohni dhomën e gjumit nëse ka kondicioner dhe më pas ta fikni. Gjumi nën ajër të kondicionuar mund të çojë në probleme të shumta shëndetësore si ngurtësim i kockave dhe muskujve ose sëmundje të frymëmarrjes. Foshnjat dhe pacientët kronikë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ajrit të ftohtë.