Film & Tv

Mësoni se çfarë do të ndodhë me filmin ‘Titanic’ pak ditë pas shpërthimit të nëndetëses!

Klasiku i vitit 1997, “Titanic” do të kthehet në Netflix më 1 korrik, disa ditë pas shpërthimit tragjik të nëndetëses Titan, ku humbën jetën 5 persona. Filmi nuk u shfaq më nga platforma e transmetimit që prej gushtit të 2022, por do rikthehet tani, kur nuk ka kaluar shumë kohë nga mbytja e nëndetëses.

James Cameron, regjisori hollivudian i filmit të famshëm “Titanik” tha se e ka përjetuar me zemër humbjen e nëndetëses Titan. Ai vetë është zhytur 33 herë deri në rrënojat e Titanikut, anijes së mbytur më 15 prill 1912, me mbi 1 mijë e 500 viktima.  Në një intervistë për rrjetin britanik BBC, Cameron deklaroi se disa persona nga komuniteti i zhytësve i kishin shkruar një letër OceanGate-it duke thënë se besonin se kompania “po shkonte drejt katastrofës”.

Cameron sugjeroi edhe se kishte një “ironi të tmerrshme” në humbjen e Titanit e ekuipazhit të tij, duke e krahasuar me humbjen e vetë Titanikut në vitin 1912. Cameron tha se ishte në një anije ditën kur nëndetësja u zhduk dhe lajmin për zhdukjen e mësoi pak orë më vonë.

Prej shumë kohësh aventurierët kanë paguar shuma marramendëse për të vizituar rrënojat e Titanikut, duke marrë parasysh edhe faktin se kjo ekspeditë mund të shndërrohet në një tragjedi. Duhen 8 orë dhe 250.000 dollarë për të arritur në atë që ka mbetur nga anija e famshme e Titanikut, rreth 611.55 km larg bregut të St.John’s, Newfoundland. Më shumë se një shekull pas fundosjes së anijes, interesi për Titanikun mbetet i jashtëzakonshëm.