Live From Tirana Music Showbiz

Mesazhi që vjen me këngën e Olimpias: “Mos lejoni largësinë…”

E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë një artiste shumë e talentuar e tregut tonë muzikor, Olimpia Smajlaj. Ajo ka folur më shumë për kengën e saj të fundit “No goodbyes” dhe mesazhin shumë të veçantë që ajo përcjell…

Si erdhi ideja e këtij klipi kaq të veçantë të animuar?

Më pëlqejnë shumë videoklipet e animuara. Doja të gjeja momentin e duhur që ta nxirrja, ishte këngë shumë e dashur për mua dhe nuk e gjeta me vend t’i bëja një klip. Doja më shumë të vendosja tre imazhe që më përfaqësojnë mua, shoqen e ngushtë dhe motrën time. Ishte mënyra më e mirë për të përfaqësuar ndjesitë e mia me animim. Vetë kënga flet për ato që janë larguar jashtë shtetit dhe nga largësia krijohen disa boshllëqe në komunikim apo marrëdhënie dhe që shpeshherë nuk fliten. Ky është mesazhi im, që nuk duhet të lejosh largësinë që të hyjë në mes njerëzve. Kur kthen kokën pas, kupton sa shumë të mungojnë këto persona në jetën tënde. Nëpërmjet klipit doja të krijoja një imazh surreal, vetëm tre persona që po ta shihni në sfond është kalaja e Shkodrës, në vendlindjen tonë. Aty jemi ne të treja buzë një makine që jemi në shoqërinë e njëra-tjetrës pa thënë asgjë, por thjesht duke shijuar qetësinë.