Këngëtari i njohur The Weeknd ka nisur një lidhje të re dhe vajza mund të jetë e panjohur për publikun, por jo për ish-të dashurat e këngëtarit, Selena Gomez dhe Bella Hadid. Ajo quhet Simi Khadra dhe është mikeshë me Selena Gomez dhe Bella. Ose “ishte” mikeshë, sepse nuk i dimë si janë marrëdhëniet pas lidhjes së saj me The Weeknd. Këngëtari dhe partnerja e tij janë fotografuar si rrallëherë bashkë duke dalë nga një restorant.
The Weeknd, emri i vërtet i të cilit është Abel kishte veshur një bluzë të zezë, pantallona të shkurtra të zeza dhe një palë shapka. Kurse 29-vjeçarja kishte veshur një fustan të shkurtër me figura shumëngjyrëshe dhe atlete të zeza. Thashethemet se dyshja janë bashkë kanë nisur që në prill 2021 dhe dyshja i hodhën “benzinë zjarrit” kur u panë duke u larguar së bashku nga një hotel në shkurt këtë vit.
Rikujtojmë, se The Weeknd është bërë artisti i parë që fiton çmimin ‘Global Digital Single Award’ dy vjet radhazi, me “Save Your Tears” që kryesoi listën për vitin 2021 dhe “Blinding Lights” për 2020. Remix i “Save Your Tears” me Ariana Grande arriti në vendin e parë në ‘Billboard Hot 100’ në maj 2021 dhe kryesoi listat në shumë vende.
The Weeknd nga ana tjetër e nisi në mënyrën më të mirë vitin 2022, duke u bërë këngëtari më i dëgjuar në botë në “Spotify”. Ai ia ka kaluar këngëtarit Justin Bieber duke arritur numrin e 86 milionë klikimeve në muaj, shifër kjo që vetëm rritet. Suksesi është shtuar sidomos pas publikimit të albumit të tij më të ri “Dawn FM”. Artisti kohët e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes pasi vazhdoi bojkotin e tij ndaj “Grammy Awards” duke refuzuar të paraqesë muzikën e tij për shqyrtim.