Bota

Mes protestave e shpërfilljeve, Netanjahu mbron luftën izraelite/Fjalimi në Kongresin Amerikan!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu mbrojti luftën e Izraelit në Gaza dhe dënoi protestuesit amerikanë, në një fjalim me gjuhë të ashpër para Kongresit të SHBA-ve dhe që u bojkotua nga shumë ligjvënës të lartë demokratë. Po ashtu, u shoqërua me protesta para Kapitolit ku morën pjesë mijëra vetë që dënonin luftën në Gaza dhe krizën humanitare që ka shkaktuar.

Netanjahu u zotua se Izraeli do ta vazhdojë luftën deri në “fitoren totale”. Gjithashtu kërkoi mbështetje më të fortë nga Shtetet e Bashkuara për betejën me Hamasin e të tjera grupe të armatosura, të mbështetura nga Irani, si edhe dënoi ashpër kundërshtimet e shumta ndaj luftës, në Shtetet e Bashkuara.

Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë së bashku! Kur qëndrojmë së bashku, ndodh diçka shumë e thjeshtë: ne fitojmë, ata humbin.

Fjalimi mori ngjyrime të zymta teksa mbronte vendin e tij, por gjithashtu kritikoi ashpër ata që protestonin kundër luftës, duke iu referuar demonstruesve para Kapitolit si “idiotë të dobishëm” që u shërbejnë kundërshtarëve të Izraelit. Fjalimi u shoqërua me duartrokitje të shumta në Kongres, si edhe me heshtje nga demokratë me peshë që nuk u ngritën në këmbë të brohorisnin në mbështetje të Netanjahut.

Ish-pengje të liruara dhe familje të pengjeve ishin të pranishëm në sallë. Ligjvënësit e të dyja partive u ngritën vazhdimisht për ta duartrokitur udhëheqësin izraelit, ndërsa disa protestues që u çuan nga vendi duke kërkuar arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e të gjithë pengjeve, u nxorrën jashtë.

Rashida Tlaib, ligjvënëse demokrate nga Miçigani e cila ka familjarë në Bregun Perëndimor, me lot në sy mbante një shenjë ku shkruhej “kriminel lufte”. Tlaib u censurua vitin e kaluar për kritikat e saj të ashpra ndaj Izraelit.

Ndërsa janë shtuar kritikat ndaj tij në Izrael, Netanjahu synon ta paraqesë veten si burrë shteti i respektuar nga aleati më i rëndësishëm i shtetit hebraik. Ky objektiv është ndërlikuar nga pikëpamjet gjithnjë e më të kundërta të amerikanëve për Izraelin dhe luftën, e cila është kthyer si një çështje kyçe në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Vizita e Netanjahut vjen mes presionit në vendin e tij për të siguruar lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi, si dhe pasigurive politike në Shtetet e Bashkuara, përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Ai u prit ngrohtësisht nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe ligjvënës të tjerë republikanë, të cilët e kishin ftuar të fliste në Kongres.

Sot dhe çdo ditë, Amerika duhet të qëndrojë krah për krah me Izraelin, tha Johnson.

Netanjahu bëhet udhëheqësi i parë i huaj që ka folur katër herë në një seancë të përbashkët të Kongresit, duke lënë pas Uinston Çërçillin.