Aktorja amerikane Meryl Streep ka deklaruar së fundmi se një ketër ka më shumë të drejta se një vajzë në Afganistan duke ngritur zërin e saj në thirrjen për t’i dhënë fund kufizimeve të rënda të qeverisë talebane në jetën e grave afgane. Autoritetet talebane kanë zbatuar një interpretim të ashpër të ligjit islamik që nga kthimi në pushtet në Afganistan në gusht 2021 pas tërheqjes së forcave të udhëhequra nga SHBA-ja.
Gratë dhe vajzat kanë mbajtur barrën e kufizimeve duke përfshirë ndalimin e frekuentimit të parqeve publike, universiteteve dhe të kënduarit në publik të cilat Kombet e Bashkuara e kanë etiketuar si “aparteid gjinor”. Gjatë një diskutimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork aktorja e njohur hollivudiane tha se:
Një ketër ka më shumë të drejta se një vajzë në Afganistan sot sepse Parqet publike janë mbyllur për gratë dhe vajzat nga talebanët. Një zog mund të këndojë në Kabul, por një vajzë jo, dhe një grua mund të mos këndojë në publik. Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar në tërësi, nëse ata bashkohen, mund të ndikojë në ndryshimin e Afganistanit dhe të ndalojë mbytjen e ngadaltë të gjysmës së popullsisë.
Qeveria talebane shpalli një ligj në gusht i cili shtrëngonte më tej kufizimet në jetën e grave. Ligji i “vesit dhe virtytit” dikton që zëri i gruas të mos ngrihet jashtë shtëpisë dhe që gratë të mos këndojnë apo lexojnë poezi me zë të lartë. Ai kërkon që gratë të mbulojnë të gjithë trupin dhe fytyrën nëse duhet të largohen nga shtëpitë e tyre. Asila Wardak, një udhëheqëse e Forumit të Grave për Afganistanin, tha në diskutimin e OKB-së, se gratë afgane ishin atje për t’u kujtuar udhëheqësve botërorë se kjo luftë nuk ishte vetëm një luftë afgane, por një luftë globale kundër ekstremizmit.