Merre me Long Show - News

“Merre me Long Show”, një emision nga Ermir Topi dhe Gent Hazizi, çdo të premte në Top Albania Radio!

Merre Me Long Show është emision i bashkëbisedimit radiofonik ku nëpërmjet satirës trajtohen ngjarjet aktuale të javës nga vendi dhe bota. Dy moderatorët dhe bashkëautorët, aktori Gent Hazizi dhe skenaristi Ermir Topi, përmes mikrofonit të Top Albania Radios, do të përcjellin në mënyrë argëtuese te dëgjuesit jo vetëm informacion por edhe dukuri të përditshme, problematika, etj. Ermiri dhe Genti ishin mëngjesin e sotëm të ftuar në “Wake Up”, për të na folur më shumë mbi emisionin që nisin sonte në darkë në orën 20:00 në Top Albania Radio.

Genti: Do trajtojmë tema të ndryshme, do bëjmë pak humor me çdo gjë që na rrethon. Se çdo gjë në përditshmërinë tonë vjen si absurde.

Ermir: Emisioni pritet të trajtojë aktualitetin me nota satirike. Është e pamundur t’i shpëtosh humorit, duke qenë me Gentin.

Çfarë do të trajtoni sot?

Ermir: Nuk është vetëm të bësh humor. Nuk duam të zbulojmë gjithë skaletën, por ngjarjet e javës. P.sh, një ngjarje e fundit është që Leo Messi i dhuroi nga një telefon prej floriri të gjithë shokëve të skuadrës…

Genti: Do të ketë dhe rikthim në nostalgji, këngë italiane, këngë të vjetra…

Çfarë ju bëri bashkë?

Ermir: Me Gentin jemi parë në ambiente të përbashkëta. Ne patëm një projekt që nuk arritëm ta finalizonim për arsye të ndryshme. Kjo na la pak përshtypje të njëri-tjetrit, një lloj kimie mes nesh.

Genti: Ma shtiu pak në mend Elona Duro, kur isha i ftuar tek ajo pas “Big Brother”, që më tha pse nuk e bën një emision në radio. Dhe kështu lindi.

Çfarë i lidh bashkë një skenarist dhe një aktor?

Genti: Kanë dhe skenarin dhe aktorin, është kimia më e bukur.

Ermir: Skenaristin dhe aktorin i bashkon skena. Në këtë rast do jetë mikrofoni. Ata nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin.

A do të flisni dhe për “Big Brother VIP”?

Ermir: “Big Brother VIP” është show më i ndjekur i momentit. Unë me Gentin nuk kemi pirë dot një kafe të qetë sepse vinin njerëzit që e ndalonin dhe i flisnin. Nuk e kisha parë ndonjëherë këtë lloj impakti.

Cilët personazhe do t’i ftoje dhe cilët jo? Ja si përgjigjet Genti…

Në emision do ftoja Herionin patjetër. Por nuk e shoh emisionin si diçka që është në dorën time, mund të vijë cilido. Oltën nuk do ta ftoja, nuk e dua.

Si do ta trajtoni politikën shqiptare?

Politikën shqiptare nuk mund ta shmangim, por do ta sjellim të përpunuar. Duhet të mbash një pozicion të ekuilibruar. Ne do sjellim anën tjetër të një lajmi.

Çfarë ju frymëzon?

Çdo gjë me të cilën jemi në kontakt, njerëzit, ngjyrat, ngjarjet… Dashuria patjetër…