Sipas një raporti nga PhoneArena, Apple mund të pajis modelet e ardhshme iPhone 16 Pro dhe iPhone 16 Pro Max me material grafeni për të ndihmuar në shpërndarjen e nxehtësisë dhe për të ulur temperaturën e telefonit. Kompania i ka pajisur modelet e saj aktuale me një kornizë titani e cila ka përçueshmëri më të ulët termike se çeliku inox, duke dërguar kështu në probleme me nxehtësi.
Këto probleme me mbinxehtësinë e smartfonëve nga Apple u zbutën pjesërisht me përditësimin e iOS 17, veprim ky i cili erdhi pasi kompania e pranoi që telefonat e saj kanë probleme me temperaturën. Por, pajisja e serisë së re me “fletë grafeni” duket se do t’i reduktojë ose largojë krejtësisht këto shqetësime, edhe pse ende nuk është zyrtarizuar. Bëhet e ditur se modelet iPhone 16 Pro dhe iPhone 16 Pro Max nuk pritet të prezantohen deri pas gjysmës së vitit 2024.
Ndërkaq, Iphone 14 Pro Max dhe ai 15 Pro Max janë modelet më të shitura të Apple, kjo për shkak të veçorive më speciale që ofrohen nga këto dy modele. “Pro Max” janë kryesisht modelet me ekrane më të mëdha dhe ofrojnë një sërë funksionesh që nuk mund të gjenden nga modelet e tjera të iPhone. Megjithatë, një ekran i madh po rezulton me probleme për njerëzit që duan ta përdorin telefonin e tyre vetëm me një dorë.
Rikujtojmë, se iOS 18 me Inteligjencë Artificiale mund të jetë përditësimi më i madh nga Apple. Gjatë vitit 2024 pritet që Apple të prezantojë linjën më të re të telefonave, iPhone 16, e cila thuhet të jetë e fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale (Al). Sipas Mark Gurman të rrjetit televiziv Bloomberg, ky përditësim i sistemit operativ mund të jetë më i madhi në historinë e gjigantit teknologjik.