Sport

Merkato dhe rivalitet i fortë, rinis Superiorja!

Një ditë të bukur janari, rinis dhe kampionati. Kategoria Superiore fillon rrugëtimin final të këtij sezoni pas pauzës dimërore. Këtë herë më e shkurtër se tradicionalisht, me një hapësirë kohore më të arsyeshme për vetë protagonistët dhe spektatorët.

Pretendentët kryesorë shpresojnë ta nisin ndryshe nga sa mbyllën vitin 2023 me Partizanin që u mund nga Erzeni. Teksa Egnatia pësonte një manita nga Tirana. Klasifikimi thotë se janë ato skuadrat më të forta, e po ashtu edhe merkatoja.

Rrogozhinasit kanë bërë një seri blerjesh, nga sulmi në mesfushë e mbrojtje, me lojtarë me CV të pasur e premtues. Të cilët pasurojnë një grup që cilësitë e tij i ka konfirmuar duke rrëmbyer kreun i shkëputur.

Partizani kërcënon me një strateg të ri, Orges Shehin. I cili ka veshur më në fund tutat e kuqe duke iu përveshur punës për një titull kampion, ndërsa rikthimi i madh mban emrin e Xhuljano Skukës. Por mbetet për t’u parë nëse do të jetë në formën e duhur për të bërë diferencën që në fillim, pasi cilësitë dhe njohja e ambientit, ashtu si dashuria për këtë fanellë nuk i mungojnë.

Një vit më parë do të ishte një diskutim dysh për titullin, Egnatia dhe Partizani të shkëputur nga të tjerat, por formula e Final Four, të paktën matematikisht, lë të shpresojnë për titullin plot 9 nga 10 skuadrat pjesëmarrëse. Me lejen e Teutës së fundit të klasifikimit të shkëputur me 6 pikë nga vendi i fundit që siguron mbijetesën.

Formulë që ngroh mbi të gjitha Tiranën dhe Vllazninë,edhe pse për bardheblutë nuk ka qenë një ndërrim vitesh optimist. Tirana nuk ka bërë asnjë blerje, vetëm largime. Hila dhe mbi të gjitha Florent Hasani, një lojtar i vështirë për t’u zëvendësuar me karizmën dhe cilësitë e tij. I vetmi që bashkë me Najdovskin shpëtojnë nga një sezon nën tonus i bardhebluve ku emrat nuk kanë justifikuar vetveten.

Nuk ka lëvizje as te Vllaznia ku tifozët shpresojnë që me më shumë kohë në dispozicion trajneri Qatip Osmani t’i ndërrojë kurs skuadrës me bashkëpunimin edhe të drejtorit të ri Tefik Osmani. Ndërkohë që shpresojnë padyshim për një vend në katërshen e parë edhe Dinamo, Skënderbeu e Laçi.

Mendime të ndaluara për momentin për Kukësin apo Erzenin, që prioritet kanë largimin nga zona e ftohtë e tabelës pa u mbyllur dimri. Asgjë nuk është e pamundur edhe për to, me 18 javë të mbetura dhe një skemë të re, ky është një kampionat ku të gjithë kanë të drejtë të ëndërrojnë.