Lifestyle

Mënyrat se si mund të përdorni inteligjencën emocionale kur përballeni me një narcist!

Narcistët bëhen më empatikë, bujarë dhe më të këndshëm me kalimin e moshës, sipas rezultateve të një studimi të ri, të publikuar në revistën amerikane ‘Psychological Bulletin’. Studimi, ku morën pjesë më shumë se 37,000 njerëz sugjeron se ndjenja e lartë e vetëvlerësimit të njerëzve narcistë mund të zvogëlohet me kalimin e moshës, por mund të mos tejkalohet plotësisht. Ata që ishin më narcistë se bashkëmoshatarët e tyre në fëmijëri priren të mbeten të tillë si të rritur, sipas studiuesve. Studiuesit identifikuan tre lloje të narcistëve, bazuar në tiparet e sjelljes.

Narcisistët agjentë, të cilët ndihen madhështor ose superior ndaj të tjerëve dhe dëshirojnë admirim. Narcisistët antagonist, të cilët i shohin të tjerët si rivalë dhe janë shfrytëzues dhe nuk kanë ndjeshmëri. Narcisistët neurotikë, të cilët janë të prirur ndaj turpit, të pasigurt dhe tepër të ndjeshëm ndaj kritikave.

Nëse keni inteligjencë emocionale, jeni zakonisht të vetëdijshëm për ndjenjat tuaja. Njohja, identifikimi dhe përpunimi i emocioneve ju lejon t’i kuptoni dhe të veproni mbi to në mënyrë konstruktive, në vend që të reagoni. Megjithatë, një narcist shpesh ju bën të dyshoni në ndjenjat tuaja duke imponuar versionin e tij të shtrembëruar të realitetit. Ata mund të përpiqen ta përdorin këtë si armën më të rrezikshme kundër jush.

Prandaj, një nga mjetet e inteligjencës emocionale që mund të përdorni kundër një narcisti është të besoni në atë që ndjeni. Nëse ndjeni se diçka e padrejtë po ndodh në marrëdhënie, atëherë ndoshta kështu është. Ndjenjat tuaja meritojnë vëmendje. Aftësia për të rregulluar emocionet ju lejon të dukeni të qetë edhe në situata ku jeni provokuar. Nëse humbni kontrollin, gjë që është e kuptueshme në këto situata, narcisti mund të tregojë se jeni ju që jeni problemi.

Ai mund gjithashtu të përdorë fjalët tuaja të thëna në çastet e zemërimit dhe t’i përhapë ato tek të tjerët pas shpinës suaj. Edhe pse mund të jetë shumë e vështirë, duhet të qëndroni të qetë kur një narcist përpiqet t’ju manipulojë. Si një person me inteligjencë emocionale, keni një aftësi për të kuptuar dinamikat e marrëdhënieve. Kjo dhunti është e dobishme kur mësoni se si një narcist përpiqet t’ju manipulojë.

Përgjegjësia është një tjetër komponent i inteligjencës emocionale. Është e rëndësishme të merrni përgjegjësinë vetëm për pjesën tuaj të gabimit dhe të vazhdoni ta mbani narcistin përgjegjës për keqtrajtimin emocional. Strategjia e fundit përfshin kombinimin e rregullimit të emocioneve, kuptimin e dinamikave të marrëdhënieve, si dhe vetëdijen. Inteligjenca juaj emocionale ju lejon të qëndroni të qetë, të reflektoni mbi situatën, të kuptoni manipulimin dhe të vendosni një kufi. Nëse narcisti kërkon një shpjegim, thjesht përsërisni kufirin e vendosur.