Aktualitet

Meloni nuk tërhiqet, të tjerë emigrantë drejt Gjadrit!

Qeveria italiane e krahut të djathtë synon të vazhdojë me planet për të shqyrtuar kërkesat për azil jashtë BE-së, pavarësisht humbjes ligjore mbi përpunimin e grupit të parë të emigrantëve që mbërriti në kampet e ngritur në Shqipëri nga Italia. Pas vendimit të djeshëm nga një gjykatë në Romë, 12 emigrantë, aplikimet e të cilëve duhej të vendoseshin në Shqipëri, sot u kthyen në Itali me një anije italiane që i mori nga Porti i Shëngjinit.  Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni ka thënë se do ta apelojë vendimin dhe të hënën e 21 tetorit do të mbajë një mbledhje të posaçme kabineti.

Italia është shteti i parë në BE që ka ngritur qendra për refugjatët jashtë Bllokut. Vendimin e saj, Gjykata e Romës e bazoi në faktin se 12 refugjatët nga Egjipti e Bangladeshi vijnë nga vende që nuk konsiderohen të sigurta, duke i bërë të papërshtatshëm për skemën e re të emigracionit.

Meloni njoftoi se koalicioni i saj i tre partive të krahut të djathtë do të miratonte rregullore të mëtejshme.

Unë nuk mendoj se i takon gjyqësorit të vendosë se cilat vende janë të sigurta. Varet nga qeveria.

Pas vendimit të gjykatës, emigrantët u transportuan me një anije të Rojes Bregdetare Italiane drejt qytetit portual të Barit, në jug të vendit fqinj. Ata ishin pjesë e një grupi fillestar prej 16 personash që u kapën nga autoritetet italiane teksa kalonin Mesdheun dhe më 16 tetor u sollën në Shqipëri. Katër prej tyre u lejuan të vazhdonin rrugën drejt Italisë. Dy si të mitur dhe dy me probleme shëndetësore të rënda.

Planin e Melonit për të vendosur kërkesat për azil jashtë Italisë dhe BE-së, opozita italiane e quan “dështim”. Në Shqipëri, aplikimet e tyre do të shqyrtohen nga zyrtarë italianë përmes një procedure të shpejtë. Ata që kanë të drejtë azili do të lejohen të udhëtojnë drejt Italisë, të gjithë të tjerët duhet të kthehen.

Rregullorja nuk zbatohet për fëmijët, gratë, të sëmurët dhe viktimat e torturës por vetëm për burra nga vende që Italia i konsideron “të sigurta”. Plani i diskutueshëm italian po monitorohet nga afër nga të tjera shtete të Bashkimit Europian.