Aktualitet

Meloni: Me Shqipërinë do të funksionojë marrëveshja e emigrantëve!

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ritheksoi se nuk tërhiqet nga marrëveshja e Italisë me Shqipërinë për emigrantët duke përsëritur qëndrimin e besimin e saj të palëkundur se do të funksionojë. Duke folur në 80-vjetorin e gazetës “Il Tempo”, shefja e qeverisë së Romës vuri në dukje se i ka marrë parasysh pengesat dhe shtoi se “ato do të kapërcehen”.

Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët do të funksionojë. Pakti me Shqipërinë është një projekt objektiv që mund të ndryshojë qasjen që kemi ndaj menaxhimit të emigracionit të paligjshëm. Këtë e kuptojnë të gjitha vendet europiane që po na mbështesin. Gjetja e mënyrave të reja për menaxhimin e emigracionit është në konkluzionet e mbledhjes së fundit të Këshillit të Bashkimit Europian, e mbështetur nga 14 vende anëtare.

Kush do të frenojë emigracionin, e kupton që kjo është kyçe dhe kush nuk e do një gjë të tillë, nuk e mbështet marrëveshjen. Pra, marrëveshja Shqipëri-Itali do të funksionojë. Unë nuk do të lejoj të shkojë dëm një zgjidhje që ne kemi identifikuar në përputhje të plotë me ligjin italian dhe europian, vetëm se ka një pjesë të politikës që nuk bie dakord.

Kryeministrja Meloni sërish kritikoi vendimin e Gjykatës së Romës dhe sqaroi se ky vendim nuk lidhet vetëm me çështjen e Shqipërisë, por siç theksoi “me të gjithë emigrantët e paligjshëm që mbërrijnë nga disa kombe”. Ndër të tjera, shefja e qeverisë së Romës e bëri të qartë se është e vendosur për të shkuar përpara me këtë projekt, “pavarësisht se çfarë thotë e majta italiane që është e ndikuar nga e majta europiane”.

Në marrëveshjen me Shqipërinë është zbatuar e drejta europiane, tha Meloni duke shtuar se vendimi i gjykatës është diktuar nga një vizion shumë i ndryshëm nga ai i qeverisë italiane.

Në qeverinë italiane janë rritur dyshimet se një pjesë e “politizuar” e drejtësisë kërkon të pengojë planin e dërgimit në Gjadër të emigrantëve që pasi zbresin në brigjet italiane, duhet të presin në Shqipëri përgjigjen për të përfituar apo jo azil në vendin fqinj. Për kryeministrinë, provë e mëtejshme është e-mail/i i zv.prokurorit të Gjykatës së Kasacionit, Marco Patarnello, dërguar kolegëve dhe publikuar nga “Tempo”:

Meloni nuk ka hetime gjyqësore ndaj saj, ndaj ajo nuk vepron për interesa personale por për vizione politike dhe kjo e bën shumë më të fortë e gjithashtu, veprimi i saj është shumë më i rrezikshëm, thuhet në një pasazh të publikuar nga kryeministrja e Italisë me komentin e saj: “Pra, një eksponent i Magjistraturës Demokratike”.