Para gati dy muajsh, CNN kishte kërkuar një intervistë me Melania Trump për të promovuar librin e saj të ri. Pas disa shkëmbimeve e-mailesh për mundësinë e intervistës, publicisti i saj, Skyhorse Publishing, dërgoi një kërkesë të pazakontë; intervista do të kushtonte 250 mijë dollarë. CNN publikoi një dokument nga Skyhorse Publishing me titull “Kontrata për konfidencialitet dhe të dhëna të ndjeshme”. Në këtë dokument ishin të listuara disa kushte strikte për intervistën dhe për përdorimin e materialeve nga libri, i cili pritet të dalë në treg më 8 tetor.
Kontrata parashikonte një pagesë prej 250 mijë dollarësh për CNN. Mediumi CNN e refuzoi kontratën dhe vendosi ta bënte atë publike. Megjithatë, disa ditë më vonë, pas një kërkese tjetër nga një gazetar i CNN-it për çmimin e lartë të intervistës, publicisti pranoi se kërkesa për pagesë ishte dërguar gabimisht. Tony Lyons, drejtori i Skyhorse Publishing, tha se as Melania dhe as ekipi i saj nuk ishin informuar për këtë marrëveshje dhe se dokumenti ishte rezultat i një komunikimi të brendshëm të gabuar.
Pagesa për intervista me figura publike, veçanërisht për bashkëshortët e kandidatëve politikë, zakonisht nuk pranohet nga redaksitë. Kate Anderson Brower, autorja e librit “Prvate Women: Grace and Power of Modern American First Ladies”, e thekson se asnjë ish-grua e parë nuk e ka bërë ndonjëherë një gjë të tillë.
Përveç pagesës, ishte kërkuar që gazetari i CNN-it të nënshkruante një kontratë që do të garantonte një dëmshpërblim prej 100 mijë dollarësh për çdo shkelje të kushteve nga Melania ose publicisti i saj. Pavarësisht refuzimit nga CNN, Melania pranoi një intervistë tjetër me Fox News, e cila ishte e para në dy vitet e fundit. Gjatë kësaj interviste u shfaqën fotografi të vjetra familjare. Një zëdhënës i Fox News konfirmoi për CNN se ata nuk paguanin asnjë tarifë për intervistën dhe fotografitë.