Aktualitet

Megaoperacion i SPAK-ut në vend kundër krimit të organizuar!

Operacion i SPAK-ut kundër krimit të organizuar. Mësohet se në Tiranë, Elbasan e Durrës janë lëshuar disa urdhër-arreste, por për momentin nuk jepen shumë detaje. Policia ka nisur ekzekutimin e masave të sigurisë të kërkuara nga Prokuroria e Posaçme e të miratuara nga GJKKO-ja. Ka informacione se nga kjo e fundit u dha “ok” për 25 deri në 30 të tilla.

Dyshime për lidhje me grupet kriminale në Elbasan, pranga zv.drejtorit të burgut të Bradasheshit, Martin Musaj. “Arrest shtëpie” për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu, si dhe masë sigurie për dy policë në operacionin e SPAK-ut. Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka lëshuar masë sigurie edhe për “Darin e Elbasanit”. Hajdar Bako alias Hajdar Çopja, i njohur ndryshe si “Dari i Elbasanit”. Disa nga të dyshuarit ndodhen në Dubai, sipas informacioneve ndërsa megaoperacioni “Plumbi i Artë 2” vijon ende.

Hajdar Bako alias Hajdar Çopja alias Hajdar Hysa, 40 vjeç, u arrestua në Dubai në maj të këtij viti, pasi është i dënuar me 4 vjet burg për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Në vitin 2017, në fshatin Katund i Ri, Hajdar Bako i njohur edhe si “Dari i Elbasanit”, së bashku me 4 të tjerë u përfshi në një konflikt, gjatë të cilit u qëllua me armë zjarri dhe u plagosën 3 persona. Në atë kohë, në konflikt u përfshi Hajdar Bako dhe F.G, 25 vjeç, të cilët u përplasën me Alfred, Klevis dhe Emiljano Gjinin. Nga përplasja e dhunshme mbetën të lënduar tre persona.

Kush është “Dari i Elbasanit”

Ndërkaq, emri i Hajdar Bakos, i njohur dhe si “Dari i Elbasanit”, nuk është i njohur vetëm për këtë përplasje të dhunshme. Emri i Bakos, doli edhe në dosjen e të pandehurit, Nuredin Dumani. Hajdar Bako shfaqej si një nga porositësit për eliminimin fizik të rivalëve të tij në dosjen e Nuredin Dumanit.

Nga dosja hetimore rezultonte se Dumani, ka dëshmuar se grupi i Erjon Alibejt alias Agim Shurbi me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdor Bakos alias (Çopja), i thirrur shkurtimisht “Dari”, janë vënë në garë për të eliminuar njëri-tjetrin.

Vetë Dumani atë kohë pranoi para SPAK-ut se kishte mbajtur kontakte me dy grupet rivale në Elbasan, atë të Erjon Alibejt dhe Hajdar Bakos.

…Arjan Spahiu, i cili mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për t’u ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë do më jepte 300 mijë euro….