Aktualitet

Medalja e parë olimpike për Shqipërinë, kreret e shtetin urojnë Valiev!

Kryeministri Edi Rama ka uruar kampionin olimpik të Shqipërisë Chermen Valiev, i cili për herë të parë i solli vendit tonë një medalje të tillë historike.

Kreu i qeverisë ka përshëndetur punën e Komiteti Olimpik Shqiptar, që drejtohet nga Fidel Ylli, dhe thekson se në Shqipëri jo vetëm që nuk largohen talentet, por vijnë edhe sportistë që kapin majat e botës.

‘Medalja e Parë Olimpike në historinë tonë është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar nën drejtimin e Fidel Yllit, për të vërtetën që Shqipërisë jo nuk i ikin më talentet sportive të lindura këtu, po talente të lindura gjetkë e zgjedhin si atdheun e dytë për t’u stërvitur në kushte optimale e për t’u ngjitur në majat e botës, si edhe për fillimin e një historie të re që në vite do të sjellë fryte të gëzueshme falë lëvizjes masive sportive për fëmijët dhe investimeve masive në palestra e në infrastrukturë sportive. Faleminderit kampion!’- shkruan Rama.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka reaguar, pasi Shqipëria ka fituar medalje të bronztë në mundje në Paris 2024.

Begaj ka uruar mundësin që përfaqësoi Shqipërinë në Paris 2024, Chermen Valiev.

“Shumë urime për Chermen Valiev që i dhuroi Shqipërisë medaljen e e parë olimpike!

Mundësi Chermen Valiev i dha Shqipërisë medaljen e parë historike në Lojërat Olimpike, duke siguruar të bronztën në stilin e lirë deri në 74 kilogramë. Në dhjetë pjesëmarrjet e vendit tonë në Olimpiada, kjo është hera e parë që kuqezinjtë marrin një medalje.

Veç anës morale dhe suksesit absolut, në arkat e Valiev do shkojnë edhe 50 milionë lekë të vjetër (ose 50 mijë euro) nga shteti shqiptar, si edhe grada Kolonel.